Armeni, 22 prill, NOA - Koalicioni qeverisës në Armeni ka kërkuar pezullimin e miratimit në parlament të marrëveshjes për normalizimin e raporteve me Turqinë.
Tre partitë në pushtet, përmes një deklarate të përbashkët, akuzojnë Turqinë se ka bllokuar miratimin e protokolleve që lidhen me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe përmirësimin e raporteve dypalëshe.
Turqia ka deklaruar para pak ditwsh se do ta mbajë kufirin e mbyllur me Armeninë, nëse konflikti territorial ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit mbetet i pazgjidhur.
Një fakt të tillë e ka bërë me dijeni kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, sipas të cilit, nëse okupimi i Nagorno Karabahut vazhdon, Turqia nga ana e saj nuk do ta hapë kufirin me Armeninë.
Rihapja e kufirit Turqi-Armeni është pjesë e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve, të nënshkruar në tetor të vitit 2009, për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes këtyre dy vendeve në një hasmëri mëse 100-vjeçare dhe kërkon ratifikimin në parlamentet përkatëse për të hyrë në fuqi.
Turqia e ka mbyllur kufirin e saj me Armeninë në vitin 1993, duke treguar solidaritet me Azerbajxhanin, pasi seperatistët armenianë, të mbështetur nga Jerevani, e morën kontrollin ndaj rajonit Nagorni Karabah.
n.e/NOA