Tiranë, 22 Prill NOA - Çelet panairi i biznesit gjermano-austriako-zviceran, një ngjarje e rëndësishme për biznesin, ekonominë dhe Shqipërinë në tërësi. Ky është panairi i tretë që organizon Bashkimi i Dhomave të tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri. Duke folur në ceremoninë e çeljes së panairit, kryeministri Sali Berisha siguroi se qeveria shqiptare, do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje, të ndërmarrë çdo iniciativë dhe vendim që të lehtësojë veprimtarinë e investitorëve në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe ambasadori austriak, gjerman dhe zëvendësambasadori zviceran, përfaqësues dhe drejtues të bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, përfaqësues të Institucioneve Ndërkombëtare në Shqipëri, biznesmenë shqiptarë dhe të huaj, etj.
Duke marrë fjalën, kryeministri përshëndeti organizatorët dhe sponsorizuesit e këtij aktiviteti të rëndësishëm, si dhe të gjithë kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri dhe stafet e tyre
Kryeministri u shpreh se çelja e këtij panairi përbën një ngjarje të madhe për biznesin, ekonominë dhe Shqipërinë në tërësi.
Duke vlerësuar vendin e rëndësishëm që zënë investimet e huaja në tërësi, në ekonominë shqiptare, Kryeministri veçoi kompanitë dhe investimet nga Gjermania, Austria dhe Zvicra për suksesin dhe performancën e tyre.
"Kompanitë dhe investimet nga Gjermania, Austria, Zvicra operojnë në të gjithë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, duke sjellë një frymë të madhe ndryshimi, një frymë të madhe besimi, një perfomancë të shkëlqyer."
Berisha u shpreh se ndonëse ekonomia botërore kaloi një periudhë të vështirë krize, ekonomia shqiptare ia doli më së mirë të evitojë këtë krizë, duke shënuar rritje.
"Ekonomia në tërësi kaloi dhe po kalon akoma një periudhë, por ajo që është e vërtetë inkurajuese, ekonomia shqiptare ia doli të evitojë më mirë se ekonomitë e tjera krizën ekonomike dhe financiare botërore. Ajo e mbylli vitin e kaluar me një rritje ekonomike rreth 4 %. Ajo ka një fillim shumë premtues tre muajt e parë të këtij viti, eksportet "Made in Albania" janë dyfishuar në vlerë, eksportet me material importimi janë rritur me 27 %, depozitat bankare po rriten dhe raporti i tyre me kreditin bankar është pothuajse dy me një. Pra sistemi financiar i vendet është plotësisht likuid, por edhe të gjithë treguesit e tjerë të ekonomisë po ecin me një kahje të shpejtë pozitive.
Sipas Berishës, ky realitet nuk vjen se ekonomia shqiptare nuk ndjek orën globale të ekonomisë botërore.
"E kundërta është e vërtetë që ekonomitë e vendeve të vogla si rregull detyrohen të jenë mjaft më globale se ekonomitë e vendeve të mëdha, pranë janë të destinuara të jenë hiperglobale, por ekonomia shqiptare rezistoi dhe performoi mjaft mirë në këtë periudhë krize sepse është e vendosur në binarë të shëndoshë, në parime të shëndosha. Ajo rëndon më pak se çdo ekonomi tjetër me taksa dhe tarifa bizneset e vendit. Shqipëria ka aparatin burokratik dy herë më të vogël se çdo vend tjetër rajonal. Shqipëria ka një program superambicioz investimesh publike", - theksoi kryeministri.
Në fund ai siguroi se qeveria shqiptare, do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje, të ndërmarrë çdo iniciativë dhe vendim që të lehtësojë veprimtarinë e investitorëve në Shqipëri:
"Do të bëjmë çdo përpjekje që të konsolidojmë më tej suksesin tuaj, do të bëjmë çdo përpjekje për tu bërë nëpërmjet reformave dhe funksionimit të shtetit ligjor gjithnjë e më tërheqës për ju, bashkëpatriotët tuaj, investitorët nga vendet tuaja".
e.r/NOA