English

Fëmijët që s'dëgjojnë, tani diagnostikohen dhe foshnjat

Tiranë, 22 prill, NOA - Prej një viti rreth 13 mijë foshnja të porsalindura në Shqipëri janë diagnostikuar për dëgjueshmërinë, prej të cilëve 3.8 për qind rezultuan me probleme, ndërsa 0,2 për qind me handikap të pjesshëm ose të plotë në dëgjim.

Ky diagnostikim kryhet për herë të parë në vendin tonë duke i dhënë mundësi fëmijëve që lindin me handikapin e dëgjimit ta rikuperojnë atë pa u mbetur pasoja më pas. Por problemi mbetet tek kultura shëndetësore, e cila sipas ministrit të shëndetësisë Petrit Vasili duhet të kthehet në kulturë kombëtare.

"Sistemi ynë shëndetësor ka provuar se jo vetëm për handikapin e dëgjimit, por për çdo sëmundje, nëse nuk evidentohet dhe diagnostikohet herët, pasojat shpeshherë janë të parikuperueshme", tha ministri.

Projekti për diagnostikimin e foshnjave që nuk dëgjojnë kryhet nën mbikëqyrjen e ekspertëve italianë të cilët punojnë pranë spitalit pediatrik në QSUT. Ata rekomandojnë që ekzaminimet për kapjen e handikapit të kryhet 8 deri në 10 muaj pas lindjes. Edhe ministri Vasili ka bashkuar apelin me specialistët italianë ndaj prindërve duke deklaruar që ata të pranojnë problemin e dëgjueshmërisë si një sëmundje dhe jo si një kompleks prej të cilit frikësohen.

Projekti për diagnostikimin e foshnjave me probleme të dëgjimit u bë i mundur nga fondacioni Italian "Maxhis". Ata kanë pajisur falas me proteza dëgjimore institutin e fëmijëve që nuk dëgjojnë në tiranë si dhe kanë asistuar të gjithë nevojat që ka ky institucion. Këtë qendër e frekuentojnë 128 fëmijë dhe adoleshentë. Këto ndërhyrje janë kryer nga audioprotezistë italianë dhe një mjek i ORL shqiptar i mbështetur nga një teknik shqiptar i formuar në Itali.

Projekti do të ndihmojë në integrimin në shkollat normale publike të fëmijëve që nuk dëgjojnë dhe që frekuentojnë institutin.

b.a/NOA

KOMENTE