English

Kuvendi, bashkëpunim me Kosovën për ligjet

Tiranë, 22 prill, NOA - Përfaqësues të komisionit të ligjeve të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Bahri Hysenaj, ishin sot në zyrën e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli e më pas në komisionin e Ligjeve, në një bisedë të hapur e konkrete për shfrytëzimin e të gjitha mundësive për një bashkëpunim në kuadrin legjislativ.

Delegacioni parlamentar i Kosovës shprehu interes për marrjen e përvojës nga Kuvendi i Shqipërisë në hartimin e legjislacionit bazë, por në mënyrë të veçantë, për përafrimin e ligjeve të brendshme me legjislacionin europian.

Kryetarja e Kuvendit tha se Kuvendi mbetet i hapur për dhënien e përvojës, jo vetëm në çështjet ligjore por edhe të çdo interesi në shërbim të bashkëpunimit për konsolidimin e mëtejshëm të institucioneve në Kosovë.

Ajo vlerësoi punën e Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës në ecjen e shpejtë me hapa të sigurt në forcimin e shtet të së drejtës dhe demokracisë.

Duke folur mbi axhendën parlamentare, kryetarja e Kuvendit tha se rreth 150 ligje të kaluara në këtë fillim legjislature janë pjesë e rëndësishme, jo vetëm e plotësimit të detyrimeve për heqjen e vizave dhe përafrimit me BE-në, por edhe bazë e reformave të mëdha ligjore e ekonomike.

Deputetët e Kosovës thanë se në çdo vizitë të tyren në Shqipëri shohin gjithnjë e më shumë transformimin dhe ecjen galopante infrastrukturore dhe ekonomike të Shqipërisë duke e konsideruar një model zhvillimi.

n.e/NOA

KOMENTE