Tiranë, 22 prill, NOA - Ministria e Arsimit ka bërë publike sot Shpjeguesin e Programit të Orientuar të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, për lëndët Letërsi e Gjuhë Shqipe dhe Matematikë.
Ky shpjegues shërben për të orientuar sa më mirë, të gjithë maturantët të cilëve u adresohet direkt, në përgatitjen e tyre për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore. Ai shërben gjithashtu për të gjithë mësuesit në organizimin e konsultimeve e përgatitjeve për këto provime, por dhe për prindërit dhe opinionin publik.
Programi përmban një fond të gjerë pyetjesh sipas niveleve të ndryshme të vështirësisë dhe për të gjitha profilet e llojet e shkollave të mesme.
Mbi këtë bazë do të formulohen edhe pyetjet e testeve të Maturës Shtetërore.
Lënda shpjeguese është përgatitur nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) dhe është konsultuar me specialistë dhe mësues të lëndëve të Letërsisë, Gjuhës Shqipe dhe Matematikës.
Përmes këtij shpjeguesi dhe një fondi kaq të gjerë pyetjesh, MASH synon të ndihmojë të gjithë maturantët për t'u përgatitur sa më mirë për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore.
b.a/NOA