Budva, 22 prill, NOA - Qeveria shqiptare do të avancoj në projektin për mundësimin e lëvizjes së lirë në të gjitha shtetet e Ballkanit. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka deklaruar në Mal të Zi, gjatë marrjes së presidencës së Iniciativës Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët, (MARRI), se gjatë këtij vitit do të përparohet në këtë projekt.
"Objektivi kryesor i presidencës shqiptare që fillon sot dhe mbaron pas një viti do të jetë avancimi në rrugën e asaj që quhet Schengen ballkanik, pra lëvizjes së lirë të qytetarëve të rajonit tonë vetëm duke disponuar një dokument identifikimi në të gjitha vendet e rajonit", u shpreh Basha.
Në takimin e zhvilluar në Budva të Mal i Zi, Basha vlerësoi arritjet e shënuara nga të gjitha vendet e rajonit gjatë presidencës së mëparshme malazeze.
"Kjo iniciativë ka provuar të jetë jashtëzakonisht e suksesshme në bashkërendimin dhe harmonizimin e politikave të azilit, migracionit dhe trajtimit të refugjatëve në vendet e rajonit tonë. Si e tillë ka shërbyer për të avancuar vendet tona në rrugën e përmbushjes së kritereve për arritjen e liberalizimit të vizave", u shpreh gjatë takimit ministri Basha.
Ministri theksi faktin se gjithë vendet e rajonit kanë arritur standarde të larta në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe në lëshimin e dokumenteve të sigurta të identitetit. Në forumin rajonal të zhvilluar në Budva, ministrat e brendshëm nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, në të cilin shprehet gatishmëria për ofrimin e shërbimit konsullor në postet konsullore të secilit prej vendeve të rajonit, qytetarëve të vendeve të tjera në mungesë të posteve konsullore apo diplomatike në vendet përkatëse, njofton Ministria e Brendshme.
m.xh/NOA