Tiranë, 22 prill, NOA - Partia Socialiste reagoi sot për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Anëtarja e Kryesisë së PS dhe kryetarja e minibashkisë Nr.1, Lindita Nikolli paraqiti sot para mediave fatura të qytetarëve të zonës së saj, ku kishte mungesë koordinimi mes energjisë së harxhuar dhe faturave të dorëzuara nga OSSH-ja.
"Grupet tona të verifikimit kanë kontrolluar faktet. Realiteti me të cilin na kanë përballur këto verifikime është tronditës. Jo vetëm që konsumi i energjisë elektrike nga shkollat në minibashkinë numër 1 nuk ka qenë në nivelet e faturuara nga punonjësit e OSSH, por madje këto shifra janë fryrë disa fish duke rritur padrejtësisht kostot për shkollat", tha Nikolli për mediat.
Ajo paraqiti leximin e sahatit në Kopshtin Nr. 24, ku ishin faturuar 6,920 kilovat-orë të përdorur, ndërsa sahati tregonte një numër më 20 fish më të vogël.
"Në shkollën nëntëvjeçare Kushtrimi i Lirisë, aktualisht në rikonstruksion, është faturuar përdorimi i 10 mijë kilovat-orëve afrofe, ndërsa sahati i vendosur tregon më pak se gjysmën e kësaj vlere në total", tha Nikolli.
Duke renditur të gjitha abuzimet, Nikolli shtoi se "kjo është arsyeja pse më 30 prill qytetarët e minibashkisë do të protestojnë kundër pushtetit i cili po rrëmon në xhepat e tyre".
m.xh/NOA