English

Nis seanca e Kuvendit, opozita e bojkoton

Tiranë, 22 prill, NOA - Seanca plenare e Kuvendit sapo ka nisur punimet e ditës së sotme dhe vihet re se deputetët e opozitës nuk janë paraqitur fare as brenda mjediseve të këtij institucioni, por as jashtë si herën e fundit ku zhvilluan një protestë në mbrojtje të fjalës së lirë.

Një vendim i tillë përkon me atë të marrë gjatë mbledhjes së fundit të grupit parlamentar socialist, i cili ka vendosur që të bojkotojë punimet parlamentare e këtë herë jo për transparencën e zgjedhjeve siç ka bërë gjatë gjithë muajve të fundit, por në shenjë rebelimi ndaj përjashtimit për 14 ditë me radhë të deputetit socialist Taulant Balla nga punimet e Kuvendit.

Kjo masë është marrë ndaj deputetit socialist pas një fjalimi me nota të ashpra ndaj kryeministrit Berisha dhe qeverisjes së djathtë në tërësi, e për këtë, është ndëshkuar nga konferenca e Kryetarëve me dy javë përjashtim nga punimet e Kuvendit.

Ndërkaq, një masë e ngjashme është marrë në seancën e fundit ndaj një fjalimi të ashpër edhe prej deputetit demokrat, Lefter Maliqi.

n.e/NOA

KOMENTE