English

Skandali, cigaret turke me gjak derri

Amsterdam, 22 prill, NOA - Ka bërë një bujë të vërtetë në Turqi studimi i kryer nga disa studiues holandezë, i publikuar në gazetën "Hurriyet", ku janë identifikuar 185 përdorime të ndryshme të mishit të derrit, e në mesin e tyre madje është rreshtuar edhe përdorimi i hemoglobinës së kafshëve në prodhimin e filtrave të cigares.

Alarmi mbi rezultatet e studimit holandez u dha nga profesor Simon Chapman, i Universitetit të Sidneit, i cili publikoi rezultatet e studimit holandez duke i paraqitur si një vrimë në velin e heshtjes mbi procedurat dhe përbërësit e përdorur në prodhimin e cigareve.

"Unë mendoj se do të ketë një grup shumë të përkushtuar të myslimanëve dhe hebrenjve, të cilët do ta shohin shumë ofenduese idenë e përdorimit të gjakut të derrit në cigare", ka thënë prof. Chapman.

Por studimi i studiuesve holandezë, ka shkaktuar reagime në opinionin turk, ku disa prej grupeve të ndryshme fetare kanë thënë se konsumi i mishit të derrit është i ndaluar në Islam. I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ministrit turk të Shëndetësisë.

"Në cigaret e prodhuara në Turqi nuk ka asnjë gjurmë të gjakut të derrit. Ministria jonë ka bërë një sërë testesh që e vërtetojnë këtë", ka deklaruar ai.

Ndërkohë dhe qendra "Saydam Refil" në Ankara ka kryer analiza të mëtejshme për të vërtetuar se edhe pjesët e tjera të kafshës së "ndaluar" si p.sh yndyra, janë të pranishëm në markën "Made in Turkey".

a.k/NOA

KOMENTE