Tiranë, 23 prill, NOA - Qeveria ka hartuar një ligj të posaçëm, duke ashpërsuar procedurën e vjeljes së gjobave. Ministri i Ekonomisë Dritan Prifti pohon se nuk do ta ketë më të drejtën e vjeljes së tyre pushteti lokal.
Ligji i Kundravajtjeve Administrative, i cili pritet të hyjë në fuqi, parashikon që gjoba ekzekutohet nga institucioni që e vendos, duke u quajtur titull ekzekutiv. Ligji shkon edhe më tej, në rastet kur personi apo subjekti i gjobitur heziton të paguajë penalitetin, autoriteti ka të drejtën edhe të konfiskimit të pasurisë.
"Deri tani vjelja e gjobave ka dështuar nga pushteti lokal, ndaj qeveria u ndje e detyruar të ndryshojë ligjin. Këto ndryshime forcojnë kontrollin e shtetit ndaj subjekteve që abuzojnë në dëm të konsumatorëve", shprehet Prifti.
Sipas tij nuk do të jetë më e lehtë që penaliteti të mos paguhen, pasi të gjithë inspektoriatet e kanë detyrimin për të ekzekutuar gjobën. Rastet më tipike të dështimit në vjeljen e gjobave janë ato për ndotje mjedisi, për duhanpirje në vendet publike, gjobat për cilësinë e tregtimit të karburanteve apo gjobat e policisë rrugore.
r.l/NOA