Tiranë, 23 prill, NOA - Qeveria mbetet thellësisht e vendosur të respektojë mediat, por edhe të ruajë pavarësinë.
Me këto fjalë është shprehur në fjalimin e tij, kryeministri Sali Berisha, gjatë konferencës për mediat "Viti 2010, informacioni në kohën e krizës", organizuar nga "La Gazzetta del Mezzogiorno".
"Administrata ime, qeveria ime në përputhje me një premtim elektoral ka ndaluar tërësisht çdo lloj padie civile apo penale ndaj mediave. Nga shtatori i vitit 2005 gjer më sot nuk ka asnjë gazetar që të jetë paditur për çështje penale apo civile, nga cilido punonjës i administratës shqiptare. Dhe kjo përbën një arritje të madhe", tha ai.
Sipas tij, "mediat janë pushtet, fuqia e të cilave përcaktohet nga profesionalizmi i tyre. Kanë dështuar dhe dështojnë mediat që humbasin pavarësinë; kanë dështuar politikanë që bëhen medio-dipendentë".
Duke e vlerësuar temën si shumë të rëndësishme, kryeministri Berisha u shpreh se mediat kanë qenë një prej fushave ku janë ndjerë më shumë se kudo pasojat e krizës globale, por që njëkohësisht dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në transparencën e kësaj krize dhe zbardhjen e saj. Gjithashtu kryeministri Berisha, duke vlerësuar rolin e mediave si një pushtet i pavarur, theksoi se të gjitha ato media që humbasin pavarësinë e tyre, janë të destinuara që të dështojnë.
Sipas kreut të qeverisë, media dhe kriza përbëjnë një raport shumë të rëndësishëm për shoqërinë e lirë.
"Mediat kanë ndjerë më shumë se pushtetet e tjera, pasojat e krizës. Kjo krizë ishte një apel për mediat që të bëjnë një kthesë më të fuqishme në drejtim të mediave online. Dhe unë mendoj se fuqizoi shumë karakterin e tyre online. Unë e kuptoj që klasikja është klasike, letra është letër, por e vërteta është se shoqëria po spostohet, po zhvendoset, gjithnjë e më shumë nga klasikja drejt online", vuri në dukje Berisha lidhur me transformimin më të fundit të mediave në vendin tonë.
n.e/NOA