Tiranë, 23 prill, NOA - Biznesi shqiptar do të jetë i përfaqësuar në një aktivitet të rëndësishëm tregtar, i iniciuar nga vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama.
Bëhet fjalë për Samitin Presidencial mbi Sipërmarrjen, i cili do të mbahet gjatë datave 26-27 prill në ndërtesën "Ronald Regan" në Uashington D.C, ku Shqipëria do të ketë si përfaqësuese dy biznesmenet Elsa Balteza dhe Donika Mici.
Sipas të dhënave paraprake, ky Samit do të theksojë rëndësinë e sipërmarrjes, krijimit të vendeve të punës dhe zhvillimit të komuniteteve.
Ai do të mbledhë rreth 250 sipërmarrës të suksesshëm nga mbi pesëdhjetë vende; do të identifikojë mënyra për të çuar përpara sipërmarrjen ekonomike dhe shoqërore; do të ndërtojë rrjete mes të interesuarve në sipërmarrje; si dhe do të ofrojë një mundësi për të vendosur partneritete që çojnë sipërmarrjen përpara.
Samiti thekson synimet e gjera të presidentit amerikan për të mbështetur sipërmarrjen, novacionin dhe mundësitë ekonomike në SHBA dhe jashtë.
n.e/NOA