Tiranë, 23 prill, NOA - Për herë të parë Parlamenti firmos memorandum bashkëpunimi me Bibliotekën Kombëtare. Në përkujtim të ditës simbol të botës së letrave, 23 Prillit, dita ndërkombëtare e Librit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Aurel Plasari nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi "Për rivlerësimin e Trashëgimisë së shkruar të Shtetit shqiptar dhe në veçanti të Parlamentarizmit.
Kryetarja e Kuvendit, Topalli tha se ky aktivitet ka një simbolikë të veçantë për botën e letrave.
"Dua të përgëzoj të gjithë punonjësit e Bibliotekës Kombëtare dhe në mënyrë të veçantë përgëzimet më të mëdha shkojnë për drejtorin Plasari, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë dhe vazhdon të bëjë me një pasion të paparë, një pasion që e kanë vetëm njerëzit që i janë përkushtuar librit dhe bibliotekës", tha ajo.
Ajo vlerëso nënshkrimin e memorandumit duke thënë se mund të ishte bërë dhe më parë. "Unë besoj që bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Bibliotekës Kombëtare do të jetë shumë më intensiv, i vërtetë dhe me vazhdimësi të pakufishme ", tha Kryetarja e Kuvendit.
Drejtori i Bibliotekës Aurel Plasari në respekt të traditës botërore për festimin e 23 Prillit, Ditës së Librit, që u shënua në 1616 në Spanjë, i dhuroi Kryetares së Kuvendit një lule dhe Librin "Thesaret e Bibliotekave Kombëtare të Europës", i cilësuar si Libri i Artë.
Ky botim i rrallë, hapet pikërisht me shkrimet e autorit të hershëm të letërsisë shqiptare, Marin Barleti.
m.xh/NOA