Tiranë, 23 prill, NOA - Defekti i rëndë që ndodhi sot në ujësjellësin e Bovillës, u shkaktua nga mosfunksionimi i valvulës së sigurisë dhe asaj të avarisë.
Një shpjegim të tillë e ka dhënë sot vetë drejtori i Ujësjellësit të Tiranës, Sahit Dollapi, sipas të cilit "valvula e sigurisë dhe të avarisë nuk kanë funksionuar dhe kështu ka nisur shkarkimi në mënyrë të pavullnetshme e ujit".
Bëhej fjalë për momentin e rikonstruksionit dhe kontrollit të tubave të Bovillës, kur është shfaqur pikërisht një problem i tillë, i cili sipas Dollapit ka kushtëzuar më pas edhe kufizimin e furnizimit me ujë të pijshëm për një pjesë të madhe të kryeqytetit.
Kjo pasi ky ujësjellës furnizon me ujë të pijshëm mëse 60 % të kryeqytetit.
"Po përpiqemi të gjejmë një aparaturë të re ndërsa rezulton e prishur valvula e presionit të ujit", ka sqaruar Dollapi, i cili ka shtuar më pas se punonjësit e Ujësjellësit janë duke bërë ç'është e mundur në mënyrë që të riparojnë defektin e shkaktuar, për të mos lejuar ndërprerjet e gjata në kohë të furnizimit me ujë në Tiranë.
n.e/NOA