Tiranë, 23 prill, NOA - Gjykata Evropiane e të drejtave të Njeriut në Strasburg i ka dhënë të drejtën padisë së dy të dënuarve shqiptarë që po shlyejnë dënimin me 13 vjet burgim në burgun e Burrelit, për veprën penale të vjedhjes me armë, në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.
Të përfaqësuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, shtetasit shqiptarë Vladimir Laska dhe Artur Lika janë ankuar për keqtrajtim nga policia gjatë momentit të marrjes në pyetje si dhe shkelje të procesit të rregullt.
Gjykata vërejti se kërkuesit ishin shpallur fajtor bazuar, kryesisht, në thëniet e dëshmitarëve gjatë procedurës së "paraqitjes për njohje të personave" veprim hetimor i kryer gjatë fazës së hetimit. Është pikërisht ky veprim hetimor që në vlerësimin e Gjykatës është kryer në kundërshtim me normat e procesit të rregullt.
Gjykata vlerëson se "…duhet të bëhet një rigjykim apo rihetim i çështjes, për rikorrigjimin e shkeljes, nëse do të kërkohet nga aplikantët, ose përfaqësuesit e tyre ligjorë. Megjithatë, sistemi juridik penal i Shqipërisë nuk parashikon mundësinë e rishqyrtimit të çështjeve, përfshirë edhe rihapjen e hetimeve, në rast të gjetjes së shkeljeve serioze për një gjykim të drejtë."
Sipas Strasburgut, është në kompetencë të autoriteteve shqiptare për të prezantuar një mënyrë të re për rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura, në mënyrë që ti mundësojë aplikantëve të riparojnë të drejtat e shkelura ose të pengesave në sistemin e brendshëm ligjor.
Së fundi Gjykata vlerësoi se shteti Shqiptar duhet t'u paguajë, secilit aplikant 4.800 euro për dëmin jo-ekonomik, sipas nenit 41 të Konventës.
b.a/NOA