English

KURUM e Sichuan marrin me konçension minierat e kromit

Tiranë, 23 prill, NOA - Ministria e Ekonomisë firmoi sot marrëveshjen e konçensionit të minierave me kompaninë turke KURUM dhe atë kineze Sichuan. Bëhet fjalë për minierën e Kalimashit, Vlahnës dhe Golajt nga ku pritet të nxirren të paktën 210 mijë tonë krom në vit dhe parashikohet të prodhohet koncentrat kromi në rreth 160 mijë tonë.

Marrëveshja me kompaninë turke KURUM Energy dhe kompaninë kineze, Sichuan Jiannanchun International Group Ltd u nënshkrua sot nga ministrit i Ekonomisë Dritan Prifti.

Në fjalën e mbajtur para nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, vlerësoi se kjo marrëveshje është shenjë e mirë që Shqipëria është një vend shumë tërheqës për investime të huaja.

Prifti vlerësoi të dyja kompanitë, si atë turke, ashtu dhe atë kineze, duke theksuar faktin se vetëm kompania kineze ka të ardhura vjetore mbi 6 miliardë euro. "Nuk është rastësore që kompania turke KURUM energji dhe kompania kineze Sichuan Jiannanchun International Group Ltd sot janë duke firmosur një marrëveshje tepër të rëndësishme me qeverinë shqiptare në industrinë e kromit. Vetëm kompania kineze ka të ardhura vjetore mbi 6 miliardë euro, kur ne kemi buxhetin e shtetit shqiptar 4 miliardë euro. Pra, një kompani gjigante, me një kompani tepër prestigjioze siç është KURUM, janë duke u bashkuar për të investuar në Shqipëri dhe për të ringitur industrinë e kromit në këtë vend", u shpreh ai.

Ministri Prifti nuk la pa përmendur edhe faktin që, nga investimi mbi 20 milionë euro vetëm gjatë katër viteve të para, do të hapen qindra vende punë në zonat përreth.

m.xh/NOA

KOMENTE