Talin, 23 prill, NOA - Aspiratat integruese euroatlantike të Bosnjë-Hercegovinës në Aleancën e Atlantikut të Veriut duhen mbështetur dhe Shqipëria nga ana e saj, paraqiet në favor të përfshirjes së këtij vendi në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO.
Një fakt të tillë ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, e ka theksuar gjatë fjalës së mbajtur në takimin jozyrtar të kryediplomatëve të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në Talin të Estonisë gjatë dy ditëve të fundit.
Ndër të tjera, Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për arritjen e objektivave të NATO-s në tërësi dhe komunitetit ndërkombëtar në veçanti për Afganistanin.
Ai u shpreh i inkurajuar për rritjen e numrit të vendeve kontribuese në kuadër të ISAF (aktualisht 46), si tregues i qartë i angazhimit në Afganistan, që nuk ka për qëllim sigurinë e Aleatëve dhe as të ndonjë vendi të veçantë, por të të gjithë komunitetit të vendeve demokratike.
Në fjalën e tij përpara Këshillit të Atlantikut të Veriut, Meta theksoi angazhimin konstruktiv të Shqipërisë me një pozicion të qartë mbi elementët që duhet të përfshijë Koncepti i ri Strategjik i NATO-s dhe në të njëjtën kohë shprehu përkushtimin e vendit tonë për vazhdimin e rolit aktiv deri në miratimin e këtij dokumenti të rëndësishëm strategjik të Aleancës, në Samitin e Lisbonës.
n.e/NOA