Talin, 23 prill, NOA - Gjatë ministerialit të Aleancës së Atlantikut të Veriut, i cili po zhvillohet që dje në Talin të Estonisë, NATO i ka ofruar Bosnjës një plan veprimi për anëtarësim, që përbën edhe hapin final para anëtarësimit të plotë.
Kështu, ministrat e NATO-s ranë dakort mbi planin e anëtarësimit të Bosnjës gjatë një darke pune dje në Estoni, ku plani për anëtarësim përgatit vendet kandidate që të plotësojnë kushtet e duhura dhe të forta të anëtarësimit në një kohë që Bosnja aplikoi vitin e kaluar për anëtarësim në NATO.
Por ministrat thanë se plani është i kushtëzuar në varësi të tre komuniteteve më të mëdha etnike të Bosnjës, kroatëve, myslimanëve dhe serbëve, që të dorëzojnë municionet dhe pajisje të tjera ushtarake tek ministria e Mbrojtjes.
Nga ana e tij, zëdhënësi i NATO-s Xhejms Apathurai, tha se ministrat e NATO-s mirëpresin përpjekjet për reforma ushtarake të Bosnjës, ku përfshihet edhe shkatërrimi i municioneve të tepërta.
Nga ana tjetër, ministrat vlerësuan gjithashtu faktin që Bosnja ka dërguar forca ushtarake në Afganistan.