English

Nisin ditët e Kulturës Spanjolle në Shqipëri

Tiranë, 23 prill, NOA /Milena Selimi - Ambasada Spanjolle në Tiranë vazhdon edhe këtë vit traditën për të promovuar 23 prillin, ditën e Letërsisë Spanjolle në Shqipëri.

Kjo datë cilësohet nga organizatorët si një traditë që lidhet me ditën e Shën-Jorgjit, ku damat dhe kalorësit i dhurojnë njëri-tjetrit libra dhe trëndafila, si dhe me ditën e përvjetorit të vdekjes së Miguel Servantesit, si një homazh ndaj të cilit në shumë qytete të botës organizohen në këtë ditë lexime të autorit.

Në kuadrin e Javës së Letërsisë spanjolle, nisin sot më 23 prill, aktivitet ku përurohet Dita e Letërsisë Spanjolle në Shqipëri .

Aktivitetet fillojnë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetin e Tiranës, në orën 10:30, me dorëzimin e çmimeve të Konkursit të Tregimit të Shkurtër "Don Kishoti".

Çmimet jepen nga ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Manuel Montobbio, shkrimtarja Mira Meksi, Konsulli i Nderit i Spanjës, Skënder Vuçini; si dhe fituesja e çmimit të vitit të mëparshëm, Rajmonda Belli Gjencaj.

Më pas, shkrimtarja Mira Meksi do të mbajë konferencën mbi hispaniken si element frymëzimi në librin e saj të fundit "E kuqja e demave".

Në orën 11:30, do të ketë një lexim publik shumëgjuhësh i Don Kishotit me pjesëmarrjen e personaliteteve të njohura të jetës publike dhe kulturore të Shqipërisë.

Mendohet se në këtë javë do të shfaqen edhe filma si "Shenjtorët e pafajshëm" të Mario Camus dhe shfaqje teatrore si "Yerma" e Frederiko Garcia Lorkës dhe premiera botërore e operës "Jeta është ëndërr" e kompozitorit David Tukiqi, bazuar në një vepër të teatrit universal të Shekullit të Artë Spanjoll, nga Pedro Calderon de Barca.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE