Nju Jork, 23 prill, NOA - Në ishullin e Staten Islandit të Nju Jorkut, këto ditë veprimtarë të komunitetit, kryesisht biznesmenë shqiptaro-amerikan, organizuan në lokalin "Bella Vita", një darkë fondmbledhëse, për ish-ligjvënësin republikan Xhozef DioGuardi, aktualisht kandidat zyrtar për në Senatin e SHBA-së.
Të pranishëm ndodheshin edhe disa figura të njohura të Partisë Republikane, të këtij ishulli si kandidatët për në Kongresin Amerikan, Chris Cox, nipi i ish-presidentit Richard Nixon, dhe Michael Allegretti, kandidatë në Distriktin 13, ku për më shumë se 10 vite në këtë zonë, ishte miku i shqiptarëve Vito Fosella.
Mbrëmja për mbledhjen e fondeve u organizua me rastin fillimit të fushatës së zotit Dioguardi, tani për një karrige në Senat, ku ai ka shpallur ambicjen e tij mbas 21 viteve, për t'u rikthyer në Capitol Hill, ku ai shërbeu për dy mandate më parë si kongresmen.
Në takimin e quajtur mbledhje parash, ish-kongresisti dhe kandidati për Senatin amerikan, Joe DioGuardi, raportoi se fushata e tij mbylli tremujorin e parë me 974,233 dollarë në dorë.
Gjithsej 188 persona ishin donatorë për fushatën e tij senatoriale.
Ai tha: "Dua të falënderoj çdonjërin që ka ofruar mbështetjen e tij gjatë ditëve të përurimit të fushatës sime. Donacionet deri më tani tregojnë se sa të shqetësuar janë nju-jorkasit me status quon".
Fushata për në Capitol Hill, në të dy Dhomat e saj (ligjëvënëse dhe përfaqësuese), po vazhdon me pjesën e parë, e cila tani është e përqendruar tek "lufta" e kandidatëve brenda partisë së çdo kandidati, në shtetet ku ata kanë shpallur kandidaturat.
Mbasi gara në SHBA-së, përfundon brenda partisë në fund të gushtit ose javën e parë të shtatorit, kur edhe do të mbahen konventat përkatëse partiake.
DioGuardi do të përballet me disa kandidatë të tjerë republikanë, para se të mund të marrë emërimin e partisë së tij.
Shqiptaro- amerikanët janë organizuar për të ndihmuar me të holla Xhozef Dioguardin, mbasi për t'a ai është zëri mbrojtës, ose siç e quajnë disa: "kyçi", i cili u hapi dyert shqiptarëve në Uashington.
Xhozef DioGuardi, përndryshe është edhe themelues i lobit të parë bashkëkohor shqiptar në Shtetet e Bashkuara, që mban emrin Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një prej lobeve më me ndikim në çështjet shqiptare në Uashington.
NOA-INA