English

Sot dita Botërore e Librit, parashikohen disa aktivitete

Tiranë, 23 prill, NOA - Sot përkujtohet Dita Botërore e Librit, e shpallur si e tillë më 15 nëntor të 1995, përmes një rezolute të UNESCO-s dhe në kuadrin e saj, sot janë parashikuar të zhvillohen disa aktivitete që lidhen me librin dhe botimet.

Kështu, ambasada e Italisë në Tiranë dhe Universitetet e Tiranës dhe Elbasanit do të organizojnë së bashku disa takime me autorë.

Sot është parashikuar të mbahet konferenca me titullin "Letërsia dhe integrimi" në Fakultetin e Historisë e Filologjisë në bashkëpunim me Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Italishtes.

Mendohet të marrin pjesë Carmine Abate, shkrimtar kalabrez, Silvana De Mari, Sokol Jakova, Valbona Jakova, Raffaele Nigro, Alessandro Sanna (ilustrator).

Ndërsa në Bibliotekën e GKA-së, mbahet një diskutim me temë "Letërsia e migrimit italofon, 1990-2010", ku marrin pjesë Diana Çuli, Mia Lecomte, poete dhe studiuese e letërsisë së migrimit, Livio Muci, drejtor i Shtëpisë Botuese "Besa" i cili do të flasë për fenomenin e letërsisë migrante në nivelin historik-kulturor e editorial, dhe autorë shqiptarët Arben Dedja dhe Amik Kasoruho.

Një aktivitet tjetër i parashikuar është edhe ai në Bibliotekën Kombëtare, në kujtim të 100-vjetorit të botuesit Ismail mal'OSmani, si dhe paraqitja e botimit "Ismail Mal'Osmani, Njeriu i Librit" nga Spiro Mëhilli, përurimi i Ekspozitës Retrospektive të Botuesit, si edhe një takim me njerëz të letrave dhe të shtypit në atë që drejtori Plasari e quan takimi në Gotën tradicionale.

Sot jepet edhe çmimi i Bibliofilisë "Lumo Skëndo" që jepet nga MTKRS prej vitit 2006.

n.e/NOA

KOMENTE