English

Topi jep sqarime për faljen e 367 të dënuarve

Tiranë, 23 prill, NOA - Drejtoria Juridike e Presidentit të Republikës ka reaguar sot për qëndrimin që media dhe opinioni publik ka mbajtur ndaj faljeve që bërë dje Presidenti Topi. Në një argumentim ligjor, njoftimi i Presidencës ndalet ne nenet dhe pikat e Kushtetutës duke justifikuar çdo vendim që është dhënë.

Ndërsa në mënyrë të veçantë për dy ish-drejtuesit e kompanive piramidale, njoftimi i presidencës sqaron se Alimuça dhe Kërxhaliu ka qenë një kërkesë e autoriteteve vendore.

"Përsa u përket dy të dënuarve Vehbi Alimuça dhe Fitim Kërxhaliu, vlerësojmë se opinioni publik duhet sqaruar se ndaj tyre, sipas propozimit të bërë nga organet e pushtetit vendor dhe referimit nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, është aplikuar falje e pjesshme e dënimit dhe se ata do të vazhdojnë të vuajnë pjesën e mbetur të dënimit në burg sipas vendimeve përkatëse gjyqësore", thuhet në sqarimin e zyrës së shtypit të Presidencës.

Reagimi i Presidencës ka ardhur pas "disa keqinformime apo keqinterpretime, pas dekretit të djeshëm të Presidentit të Republikës "Për falje dënimi"'.

Drejtoria Juridike e Institucionit të Presidentit të Republikës ka sqaruar procedurën ligjore që kreu i shtetit ka ndjekur për të dhënë faljet. Vendimet e Topit janë marrë në mbështetje të nenit 92, pika "b" dhe 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenit 70 të Kodi Penal të Republikës së Shqipërisë, nenit 1 të ligjit nr.6299, datë 27.03.1981 "Për faljen", të ndryshuar me ligjin Nr.7682, datë 09.03.1993"Për disa ndryshime në ligje", thuhet në njoftimin e Presidecës.

Ndërkoëhë që Topi ka marrë parasysh dhe propozimet e organeve të pushtetit vendor dhe të institucioneve të tjera si Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Avokati i Popullit, Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut, shoqata të tjera të angazhuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe me mbështetjen e disa deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Presidenca sqaron se pas një vlerësimi të kujdesshëm mbi plotësimin e kritereve ligjore dhe disa kritereve të veçanta si: qenia i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale, gjendja e rënduar shëndetësore dhe mosha e thyer, e cila nuk justifikonte vazhdimin e mëtejshëm të vuajtjes së dënimit, si dhe fakti se disa të dënuar, sidomos gra ishin nëna të fëmijëve të mitur, një pjesë e të cilëve kishin mbetur pa kujdesin prindëror të asnjërit prind, gjithashtu edhe masën e dënimit të mbetur për të vuajtur si dhe duke marrë parasysh se sipas referimit të bërë nga ana e institucioneve përgjegjëse mbi edukimin dhe rehabilitimin social të të dënuarve e pasi u bë e qartë se këta persona me sjelljen, punën dhe veprimet e tyre kishin provuar se me vuajtjen e dënimit e kishin përmbushur qëllimin për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror, ndaj tyre u aplikua falje tërësisht / ose pjesërisht e dënimit të mbetur për të vuajtur.

Me dekretin nr.6516, të datës 22.04.2010 është aplikuar falje e plotë dhe pjesshme nga Presidenti për 367 të dënuar.

m.xh/NOA

KOMENTE