English

Behar Selimi: Policia e Kosovës, e aftë të menaxhojë kufijtë e saj

Prishtinë, 24 prill, NOA - Kreu i Policisë së Kosovës Behar Selimi thotë për BBC-në se deri në fund të këtij viti, sipas një udhërrëfyesi, forca vendore e sigurisë, do të marrë përsipër përgjegjësitë për kontrollin e kufijve me vendet fqinje.

Ai tha se policia e Kosovës po bën përpjekje për të bindur autoritetet ndërkombëtare së është e gatshme që brenda këtij viti të marrë përgjegjësitë edhe për kontrollin e pikave kufitare me Serbinë.

Në një bisedë me BBC-në, Selimi tha se nga aspekti profesional dhe i teknologjisë, Policia e Kosovës është e aftë të marrë përsipër menaxhimin me kufijtë e Kosovës, por me kufirin me Serbinë kjo mund të varet nga çështje të tjera.

Deklaratat e tij pasuan paralajmërimet e forcës paqeruajtëse të NATO-s për bartjen, deri në fund të muajit prill, të përgjegjësive për kontrollin e kufirit me Shqipërinë.

Selimi tha se sfidë kryesore për Policinë e Kosovës mbetet komunikimi zinxhiror me pjesëtarët serbë të policisë në veri, të cilët sipas tij janë përballur me rrethana të politizuara.

Z.Selimi, a mund të na jepni një vlerësim për vendimin e KFOR-it për bartjen e përgjegjësive për kontrollin e kufirit me Shqipërinë.

E konsideroj si besim të forcës paqeruajtëse në kapacitetet dhe trajnimet e përkushtimin që e ka Policia e Kosovës për të marr edhe përgjegjësinë për sigurinë e vijës së gjelbër. Natyrisht ky do të jetë hapi i parë me Shqipërinë dhe ne mendojmë se deri në fund të vitit, po arritëm ne që ta përgatisim forcën tonë, në nivelin e njëjtë siç e kemi bërë me Republikën e Shqipërisë, të vazhdojmë me Republikën e Maqedonisë dhe mendojmë se vitin e ardhshëm, në fillim të vitit, edhe me Malin e Zi.

Dhe ju besoni se Policia e Kosovës ka kapacitete për të menaxhuar me kufijtë e vendit?

Nëse shkon sipas strategjisë që e ka udhërrëfyesi për bartjen e përgjegjësive nga KFOR-i tek ne, që do të thotë nëse kjo ecën me faza, pa u ngutur unë besoj.

Ky udhërrëfyes për bartjen e përgjegjësive për kufijtë parasheh edhe përgjegjësitë për kontrollin e një numri objektesh fetare në Kosovë. Kjo vjen në një kohë kur janë shpeshtuar reagimet e serbëve të Kosovës dhe të Beogradit zyrtar. Besoni se Policia e Kosovës mund të kryejë një detyrë të tillë të vlerësuar si të rëndësishme?

Patjetër. Këtu bëhet fjalë për një projekt tjetër. Policia e Kosovës po merr vazhdimisht detyra të reja ndërkohë që ka kapacitetet e njëjta me ato që i ka pasur e gjithashtu edhe burimet e njëjta si njerëzore ashtu edhe materiale. Megjithatë në sajë të një shfrytëzimi të mirë të të gjitha burimeve ne do t'ia dalim që edhe këtë lloj përgjegjësie për sigurimin e monumenteve të karakterit kulturor dhe fetar ta sigurojmë. Ne kemi plane konkrete operative që nuk kushtojnë shumë dhe që ofrojnë siguri. Ne besojmë dhe edhe vetë komuniteti i religjionit të caktuar dhe monumenteve të caktuara, përfshirë këtu edhe pjesëtarët e komunitetit serb, do të binden në sigurinë që do t'ua ofrojmë ne edhe për monumentet dhe çdo gjë tjetër që është në interes për kulturën e tyre këtu.

Ju thoni se do të binden vetë. Por a keni bërë ju përpjekje që t'i bindni ata se jeni Polici, siç thuhet, shumëkombëshe?

Patrullat që do të kujdesen për sigurinë e objekteve fetare do të jenë të përbëra nga pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme. Kjo është një mënyrë për t'i bindur. Mënyra tjetër është se policët në bashkësi vazhdimisht kanë qenë me bashkësitë e ndryshme etnike, përfshirë edhe atë serbe, dhe vlerësimet janë se ata vazhdimisht i pranojnë shërbimet e sigurisë në fusha të tjera, siç janë rendi publik, luftimi i krimit e pse jo edhe në sigurimin e objekteve me karakter fetar.

Kur flasim për menaxhimin e kufijve dhe kalimin e përgjegjësive tek Policia e Kosovës, mendoni se do të mund të kontrolloni edhe kufirin në veri të Kosovës?

Ne do të bëjmë përpjekje që me profesionalizëm të bindim kolegët tanë të EULEX-it, që janë edhe monitorues atje dhe që kanë karakter ekzekutiv, që ne deri në fund të vitit duhet të jemi të gatshëm që të marrim edhe atë lloj përgjegjësie. Megjithatë kjo është relative dhe varet edhe nga rrethanat e tjera. Por, sa i përket përkushtimit dhe profesionalizmit policor, sa i përket karakterit demokratik dhe shumëkombësh të policisë, sa i përket teknikës dhe teknologjisë, në ato pika kufitare nuk do të vonohet tranzicioni për këto arsye. Mund të vonohet për arsye të tjera që nuk janë në dorë të policisë.

Pra ju besoni se edhe kufirin me Serbinë së shpejti do të mund ta bartni si përgjegjësi tuajën?

Mbase në kuptimin e gjerë të fjalës, me vijën e gjelbër, nuk e mendoj se mund ta bëjmë shpejtë, sepse ajo ruhet kryesisht me policë dhe me ushtarë të KFOR-it dhe duke u vëzhguar edhe nga EULEX-i. Por pikat kufitare mendoj se janë një çështje shumë më teknike se sa që është pjesa tjetër e territorit atje. Pikëkalimet kufitare edhe ashtu kanë filluar të jenë pikëkalime kufitare ndërshtetërore me autoritetin ekzekutiv që e ka EULEX-i atje dhe me kontrollet operative që i ka filluar tash e dy javë më parë.

Por ju po përballeni ne veri me probleme të ndryshme, marrë parasysh këtu edhe vijën komanduese me pjesëtarët e policisë të komunitetit serb?

Sfida kryesore për ne është pikërisht komunikimi zinxhiror, që do të duhej të bëhej në mënyrë profesionale, por ka edhe sfida të karakterit politik. Kolegët tanë të komunitetit serb atje, që punojnë me EULEX-in dhe me kolegët shqiptarë, për ditë e më tepër, megjithatë ka patur një situatë dhe rrethana të politizuara madje edhe individualisht rrethana jo shumë të mira në kuptimin e sigurisë dhe të gjtiha këto kanë kontribuar që forca jonë atje të mos jetë shumë e integruar dhe që të mos raportojë në mënyrë të rregullt.

Tani, për ditë e më tepër, e them me përgjegjësi, se situata është më e mirë në aspektin praktik. Pra në këtë aspekt ka komunikim të drejtpërdrejt dhe në këtë asekt të gjitha planet operative, sidomos në pikat kufitare, zbatohen, pra planet operative që bëhen me drejtorinë e përgjithshme dhe që flet për operacione policore. Madje atje kohë pas kohe ka filluar të konfiskohet substancë narkotike, të arrestohen kriminelë të ndryshëm gjë që nuk ka ndodhur më parë. Prandaj në aspektin praktik situata është shumë më mirë se në aspektin formalo-juridik. Dhe ne si policë na intereson më shumë aspekti praktik se ai tjetër i situatës atje.

Ju e keni marrë detyrën së voni pas ndryshimeve të bëra në Policinë e Kosovës në një periudhë kur flitet shumë për luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit.

Kjo është një nga përparësitë kryesore. Prej meje në ushtruesin e detyrës kërkohet që kudo, deri më tash, ku ka pasur rezultate por edhe ngecje, të bëjë më shumë, më mirë dhe më fuqishëm. Së këndejmi edhe në prioritetin kryesor që ka policia, e që del nga prioritetet e qeverisë, luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar duke mos e harruar edhe një rend e qetësi më të mirë, duke mos harruar edhe luftimin e frikës nga krimi, sepse ne mendojmë që të ketë policë më shumë në lagjet tona.

Dhe polici në lagjet tona e thekson më tepër funksionin parandalues duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e menaxhimit më mirë të burimeve tona që quhet si menaxhim më efikas dhe efikas me burime për të qenë më transparent për burimet që i shfrytëzojmë karshi taksapaguesve. Por gjithsesi të gjitha këto së bashku në synim kanë: luftimin sa më fuqishëm dhe më mirë, në mënyrë sa më profesionale të të gjitha llojeve të krimeve e posaçërisht të korrupsionit dhe krimit të organizuar bashkërisht me të gjithë faktorët e sigurisë, ndërkombëtarë e vendorë dhe gjithsesi të mbështetur nga të gjitha institucionet vendimmarrëse të Kosovës.

BBC

KOMENTE