Konektikat, 24 prill, NOA Update - Një ngjarje e pazakontë ka çuditur agjentët dhe ka vënë në lëvizje punonjësit e një banke, pasi një bandë grabitësish i ka telefonuar ata duke i njoftuar mbërritjen e tyre me fjalët: "Kjo është një grabitje, bëni gati paratë nëpër qese. Pas pak do vijmë t'i marrim".
Ngjarja ka ndodhur në Bridgeport në shtetin Konektikat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku policia arriti të nxjerrë në pah grabitjen e një banke duke bllokuar grabitësit ndërsa ata ishin duke u përgatitur për të hyrë në këtë institucion.
Banka ishte paralajmëruar paraprakisht për grabitje nga dy vjedhësit, Albert Bailey 27- vjeç dhe një 16-vjeçar për të cilin nuk bëhet i ditur identiteti.
Në fakt, ata kishin lajmëruar 10 minuta më parë bankën para se të kryenin grabitjen, duke i kërkuar punonjësve të futnin paratë në qese, të cilat pastaj do të vinin t'i merrnin.
Punonjësit kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila arriti në vendngjarje dhe ka pritur grabitësit duke kryer arrestimin e tyre në flagrancë.
Agjentët e policisë, thanë se ishin të befasuar për të kuptuar se si një bandë grabitësish të mund të mendojë të bëjë shenjë në këtë mënyrë.
"Një ide me të vërtetë pak inteligjente, unë nuk mund të kuptoj se si ata mendonin të kryenin grabitjen", tha një nga agjentët e policisë.
a.k/NOA