Duke qenë Kosova shtet sekular, institucionet e Kosovës nuk guxojnë në asnjë mënyrë që në pozicione shtetërore, të emërojnë klerik, përfaqësues të asnjë besimi, sepse kështu sekularizimi mbetet vetëm një nocion i keqpërdorshim për qëllime të pista, nga një politikë e deformuar, e cila s'njeh mjete për të arritur qëllimet e veta
Ndue Ukaj* Emërimi i Rexhep Bojës, si i ngarkuari me punë i Kosovës në Arabinë Saudite, është një lajm shumë i keq për Kosovën. Përveç se është një lajm i keq, ai është edhe lajm krejtësisht i pazakontë në botën politike demokratike dhe si i tillë është një sinjal jashtëzakonisht negativ, i cili trondit themelet e shtetit sekular të Kosovës, mu nga njerëzit që janë të angazhuar e obliguar të mbrojnë kushtetutën e Kosovës, e cila garanton sekularitetin në çdo pore të jetës, si një nga parimet themelore të shtetësisë së Kosovës. Kjo për faktin e thjeshtë, sepse personi në fjalë, me gjithë respektin që gëzon në opinionin shqiptar, është njeri klerik, prijës fetar dhe emërimi i tij në postin e ambasadorit, është një shkelje flagrante e Kushtetutës së Kosovës, e parimeve themelore të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit sekular, si një nga premisat qenësore për shtet modern, të prosperuar dhe të integruar.
Në nenin 8, të Kushtetutës së Kosovës, është e deklaruar qartë se "Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare".
Duke qenë Kosova shtet sekular, institucionet e Kosovës nuk guxojnë në asnjë mënyrë që në pozicione shtetërore, të emërojnë klerik, përfaqësues të asnjë besimi, sepse kështu sekularizimi mbetet vetëm një nocion i keqpërdorshim për qëllime të pista, nga një politikë e deformuar, e cila s'njeh mjete për të arritur qëllimet e veta. Jam thellësisht i bindur se çdo mendje racionale e kupton se Kosovës nuk i duhet asnjë lloj përfaqësimi nga njerëz klerikë, nga prijës fetare, kudo qoftë në botë, mirëpo nga politikaj të aftë dhe diplomat të zotë. Që të besojmë se z. Boja i posedon këto dhunti, duhet të jemi totalisht naiv, ashtu siç duket se kanë qenë totalisht naiv krerët shtetëror kur kanë marr këtë vendim absurd. Nuk arrijë dot ta parafytyroj një klerikë, të veshur brenda natës me petkun e politikës, se si transformohet, me një vendim absurd dhe të lejë mënjana moralin religjioz e t'i kthehet zanatit të politikës, që është antipod i saj? Madje, nuk ma thotë mendja se ekziston ndonjë arsyetim logjikë që do të justifikonte këtë përzgjedhje "gjeniale", nga njerëzit që drejtojnë vendin tonë për të emëruar në shërbimin diplomatik një njeri me kapelën (qallëmen) islame në kokë. Madje, jam i bindur se edhe vetë z. Boja e kupton se ky emërim, më shumë ka konotime tjera sesa politike e diplomatike, pozicion për të cilin është i thirru tani e tutje të punoj dhe për të cilin do të paguhet nga tatimpaguesit kosovarë. Ndonëse këto konotime janë të "motivueshme" nga një kontekst specifik, ato tingëllojnë si tejet jonormale për botën moderne, sepse krijojnë precedent të rrezikshme, që mund të përcillen me cikle tjera të infiltrimit të religjionit në jetën politike. Dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që mund ta godet Kosovën. Nëse shteti i Kosovës duhet të fitoi simpatinë nga bota islame, vetëm e vetëm pse është me "përkatësi shumicë islame", kjo simpati nuk vlen asnjë grosh. Madje, edhe nëse njohjet janë të kushtëzuar me thellimin e shoqërisë sonë në fe, që po të përkthehej qartë, domethënë rrënimin e sekularizimit, demokracisë dhe kthimin nga feja islame, këto njohje nuk janë aspak të frytshme. Kosova ka nevojë për mbështetën e botës arabe e islame, vetëm mbi parime universale, e jo sipas preferencave religjioze dhe selektimeve primitive. Se politika kosovare tani një kohë të gjatë shquhet për një lloj herezi çoroditëse, është lehtë e kuptueshme. Madje, ka edhe aso lloj "barsoletash" që tregohen kafeve të Prishtinës sesi liderët tanë, përfaqësues të institucioneve, kur kanë takime me botën islame në Kombet e Bashkuara apo diku tjetër, stërtheksojnë islamin, mburren me prejardhjen islame, ndërsa vetëm pas pak minutash, në takime me botën e krishterë, e thonë të kundërtën, stërtheksojnë përcaktime për sekulariziëm, për rikthim nga vlerat perëndimore. Një herezie të këtillë, nuk i beson askush, as bota islame dhe as bota perëndimore. Prandaj, politikës sonë i duhet një identiteti i qartë, një përcaktim pa ekuivokë e pa herezi. Ne jemi ata që jemi dhe as nuk mund të na ndryshoi politika dhe as të na zhbëjë atë që e kemi. Mbase, me këtë emërim, krerët institucional duket se kanë sajuar kështjellën e iluzioneve se, nëpërmjet këtij njeriu të identifikueshëm fetarisht, do t'iu hidhet hi syve të botës islame, që të njohin shtetësinë e Kosovës, mirëpo gjasat për këtë, janë më të vogla se një zero e madhe. Ndonëse, as ky arsyetim dhe asnjë tjetër s'mund ta justifikoi shkeljen e kushtetues, mu në parimet themelore të barazisë, që njëherësh rrezikon në esencë demokracinë dhe lirinë e Kosovës Institucionet e Kosovës me këtë vendim kanë dëshmuar katërçipërisht një herezi politike, një maskim të pashembullt, konsekuencat e së cilës do të bartën në shumë dimensione. Kohëve të fundit, në opinionin publik ka pasur shqetësime të vazhdueshme për sekularitetin në Kosovë. Ky vendim, i thellon edhe më tej këto dilema. Duke e rrënuar sekularitetin dhe duke i dhënë ngjyrë religjioze shërbimit diplomatik të Kosovës, krerët tanë shtetëror i bëjnë dëmin më të madh Kosovës, sepse hedhin gurë në shpirtin e demokracisë, në themelet e shtetit liberal dhe përbuzin trashëgimin tonë të lashtë, tolerancën dhe harmoninë. Andaj ky emërim është një veprim tejet jonormal dhe si i tillë duhet gjykuar nga gjithë ata që duan një Kosovë të lirë, demokratike dhe të integruar në botën e kombeve të lira. Kosova nuk ka nevojë të përfaqësohet nga hoxhallarë, priftërinj, pastorë apo njerëz të veshur nën petkun fetare, por për politikaj e diplomat të aftë.
(*) Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale