Tiranë, 24 prill, NOA - Ministria e Shëndetësisë ka denoncuar abuzimet që po bën kohët e fundit Urdhri i Farmacistëve në lidhje me kriteret e licencimit të farmacistëve.
Në një dalje sot për mediat, zëvendësministri i shëndetësisë, Bardhi Spahia ka deklaruar se e drejta e licencimit i takon vetëm Ministrisë së Shëndetësisë dhe në këtë rast Urdhri i Farmacistëve po shkel ligjin.
"Prej kohësh kemi dëgjuar në media deklaratat e Urdhrit të Farmacistëve se ata kanë për detyrë dhënien e licencave. E theksoj, kjo kompetencë i takon vetëm qendrës kombëtare të licencimit ndaj këto deklarata janë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin", tha Spahia.
Zëvendësministri i Shëndetësisë ka theksuar se pranë ministrisë prej kohësh vijnë ankesa nga farmacistët ndaj zvarritjeve që bën urdhri për anëtarësimin e tyre pranë këtij subjekti.
Spahia ka theksuar se për tu bërë anëtar i këtij urdhri nuk ka ndonjë kriter të veçantë përveçse të jesh shtetas shqiptar dhe të jesh diplomuar për farmaci e padyshim të punosh në këtë sektor.
Ai i ka bërë thirrje farmacistëve të denoncojnë në cdo rast abuzimet e Urdhrit pranë organeve ligjore.
b.a/NOA