English

PS: Qeveria vlerëson 1 m² tokë, më pak se 1 kg domate

Durrës, 24 prill NOA - Banorët e Komunës Maminas kanë dalë sot në një protestë të mbështetur nga Partia Socialiste, duke kërkuar nga qeveria që tu paguajë paratë për shpronësimin e tokave të tyre të zëna nga ndërtimi i rrugës Maminas-Gjiri i Lalsit si dhe i daljes nga autostrada Tiranë-Durrës.

Ata thanë që vlerësimi i tokës së tyre është bërë me një çmim fare të ulët e megjithatë ata edhe sot, më shumë se një vit nga përfundimi i rrugës akoma nuk kanë marrë paratë e tyre.

Banorët janë shprehur me zemërim se qeveria po i mashtron çdo ditë. Protestën e tyre e ka mbeshtetur edhe deputeti i PS, Gazmir Bizhga, i cili në fjalën e tij ka thënë se qeveria me vlerësimin që u ka bërë tokave të banorëve të Maminasit, por edhe Manzës e Ishmit në fakt ua ka grabitur tokat atyre.

"Është e turpshme- tha ai - që një metër katror tokë të vlerësohet më pak se një kilogram domate, në një kohë që vlera e tregut është të paktën 10 herë më e lartë. E megjithate edhe kete vlere qesharake ju akoma nuk e keni marrë."

Bizhga tha që kjo qeveri nuk ka ndërmend që t'ju japë atë që ju takon, edhe sepse listat për shpronësimet janë bërë nga qeveria gjatë fushatës elektorale të vitit 2009, pra një mashtrim i radhës dhe se kjo qeveri, sot jo vetem nuk u jep qytetarëve atë qe u takon me ligj, por ushtron edhe dhunë fizike siç bëri para pak ditësh në fshatin Thumanë të rrethit të Krujes.

Ai premtoi se ata do ti marrin paratë e tyre, madje me vlerën e tregut, me ardhjen e PS në pushtet.

Bizhga përmendi gjithashtu edhe faktin që një pjesë e madhe e banorëve të kësaj komune akoma nuk kanë marrë certifikatën e pronësisë mbi tokën për shkak të korrupsionit që ndeshet në zyrat e regjistrimit të pasurive.

Banorët kanë bllokuar për disa minuta rrugën dhe kanë thënë se protestat e tyre nuk do te ndalen, madje do të përshkallëzohen deri sa qeveria të paguajë një më një paratë që ju takojnë.

e.r/NOA

KOMENTE