Tiranë, 25 Prill 2010 NOA/ Zulejha Ramadani - Demokracia e Re sot përmes Nënkryetares Flora Kadriu ka reaguar ndaj dukurive negative që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve në qytetin e Shkupit dhe ka alarmuar se kjo situatë rrezikon tej mase sigurinë e qytetarëve dhe krijon tensionime të mëtutjeshme në mesin e tyre.
Kadriu në një prononcim për mediume deklaroi se rastet e tilla janë shpeshtuar dhe nuk i kanë hije në shteti që pretendon të jetë anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
"Fatkeqësisht në Shkup, por veçanërisht në lagjet e banuara me shqiptarë, çdo ditë e më shumë ballafaqohemi me vrasje, siç është edhe vrasja e një qytetari sot, me plaçkitje, grabitje, kidnapime të fëmijëve", - deklaroi Kadriu.
Konsiderojmë se e gjithë kjo situatë e rënduar është rezultat i neglizhencës së institucioneve shtetërore.
Sipas DR, "është kohë e fundit që Qeveria dhe institucionet tjera përgjegjëse të tregojnë seriozitetin më të lartë në drejtim të zbulimit sa më të shpejtë të kryesve të veprave të këtilla dhe zbardhjes së rasteve, përndryshe edhe një herë do të konstatojmë se kjo Qeveri nuk ka kapacitet për të ruajtur stabilitetin në vend dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve".
z.r/NOA Shkruajini autores: z.ramadani@noa.al