English

Autostrada që lidh dy shtetet e një kombi, nis zyrtarisht puna

Vërmicë, Prizren, 25 Prill 2010 NOA - Sapo ka nisur ceremonia zyrtare e nisjes së punimeve të autostradës 103 kilometra e gjatë Morinë-Prishtinë-Merdar që pritet të lidhë Shqipërinë dhe Kosovën. Ceremonia u parapri nga një koncert festiv me këngë kryesisht patriotike, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.

Berisha dhe Thaçi kanë mbërritur me veshje informale në ceremoni, i pari me këmishë dhe xhaketë por pa kravatë dhe i dyti vetëm me këmishë. Me të njëjtën veshje informale ka mbërritur edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

E parashikuar të nisë në 13.00, ceremonia ka nisur rreth 30 minuta më vonë. Fjalën e parë nga kabinetet qeveritare e ka mbajtur ministri i Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ai tha se "është e pamundur të nisim këtë rrugë drejt të ardhmes nëse nuk kujtojmë rrugën kur pararendësit tanë e paguan me çmimin e lirisë" dhe shtoi: "Që nga Skënderbeu, Abdyl Frashri e deri te komandati legjendar Adem Jashari, jetën dhe veprat e tyre ia kushtuan lirisë së këtij vendi".

"Sot ne të gjallët, ëndrrën e tyre po e bëjmë realitet", - u shpreh z.Limaj dhe theksoi se "duhet t'i jemi mirënjohës Zotit".

Për z.Limaj, fillimi i ndërtimit të kësaj autostrade dëshmon përpjekjet e qeverisë. Ministri shtoi se kjo rrugë përbën interes për të gjithë popujt e rajonit dhe theksoi se krijimi i lidhjeve ndërkombëtare të komunikimit me këtë rrugë do të rrisë mirëqenien ekonomike.

a.b/NOA Vijon...

KOMENTE