English

Autostrada që lidh dy shtetet, nis zyrtarisht korridori i kombit shqiptar

Speciale për evenimentin mbarëkombëtar, nisja e punimeve të autostradës së cilësuar si korridori i kombit shqiptar, një kryevepër infrastrukturore që do të sjellë përfitime jo vetëm për shqiptarët

Më shumë foto, te Galeria

Vërmicë, Prizren, 25 Prill 2010 NOA I Plotë - Ceremonia zyrtare e nisjes së punimeve të autostradës 103 kilometra e gjatë Morinë-Prishtinë-Merdar që pritet të lidhë Shqipërinë dhe Kosovën, nisi me disa fjalime mbresëlënëse dhe përfundoi me shpërthimin simbolik që çel punën për projektin rreth katërveçar. Ceremonia u parapri nga një koncert festiv me këngë kryesisht patriotike. E gjithë ceremonia, u transmetua në kohë reale nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve NOA dhe këtu gjeni një raport të përmbledhur mbi eventin.

***

Shpërthimi u krye në një kodër disa qindra metra larg zonës ku ishte vendosur dekori për ceremoninë dhe duke qenë se gjatë gjithë kohës folësit u shprehën për një të ardhme shumë më të mirë, sugjeruan se vetëm për një çast të pranishmit duhet të kthenin kokën pas, thjeshtë dhe vetëm për të parë shpërthimin që do të ndodhte.

Për ta realizuar këtë, drejtuesi i ceremonisë ftoi të shtypin butonin e shpërthimit, kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Berisha e Thaçi. Brohoritjet ngazëllyese i dhanë fund ceremonisë zyrtare që i la vendin nisjes së punimeve afro katërvjeçare.

Analistët vlerësojnë se Morinë-Merdare, është projekti i më i rëndësishëm i qeverisë së Kosovës. Për autostradën Prishtinë-Merdare janë planifikuar rreth 750 milionë euro dhe gjatësia e saj do të jetë rreth 103 kilometra. Autostrada Prishtinë-Merdare pritet t'i japë një hov cilësor zhvillimit të Kosovës por përfitimet do të jenë edhe për Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit dhe më gjerë.

Autostrada që lidh dy shtetet e një kombi, nis zyrtarisht puna

Berisha dhe Thaçi mbërritën me veshje informale në ceremoni, i pari me këmishë dhe xhaketë por pa kravatë dhe i dyti vetëm me këmishë. Me të njëjtën veshje informale ka mbërritur edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Limaj: Të mos nisim pa kujtuar të parët tanë

E parashikuar të niste në 13.00, ceremonia ka nisur rreth 30 minuta më vonë. Fjalën e parë nga kabinetet qeveritare e ka mbajtur ministri i Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj.

Ai tha se "është e pamundur të nisim këtë rrugë drejt të ardhmes nëse nuk kujtojmë rrugën kur pararendësit tanë e paguan me çmimin e lirisë" dhe shtoi: "Që nga Skënderbeu, Abdyl Frashri e deri te komandanti legjendar Adem Jashari, jetën dhe veprat e tyre ia kushtuan lirisë së këtij vendi".

"Sot ne të gjallët, ëndrrën e tyre po e bëjmë realitet", - u shpreh z.Limaj dhe theksoi se "duhet t'i jemi mirënjohës Zotit".

Për z.Limaj, fillimi i ndërtimit të kësaj autostrade dëshmon përpjekjet e qeverisë. Ministri shtoi se kjo rrugë përbën interes për të gjithë popujt e rajonit dhe theksoi se krijimi i lidhjeve ndërkombëtare të komunikimit me këtë rrugë do të rrisë mirëqenien ekonomike.

Më tej e ka marrë fjalën Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ai theksoi se Kosova me këtë rrugë të re do të afrohet më shumë me detin Adriatik dhe atë Jon kurse Shqipëria do të përfitojë duke u afruar më shumë me Ballkanin Perëndimor.

Thaçi: Qeveria ime do ta ndërtojë me çdo çmim autostradën

Kryeministri i Republikës së Kosovës tha në fjalën e tij me rastin e nisjes së punimeve për autostradën Morinë-Prishtinë-Merdar se kjo "kryevepër" siç e cilësoi, do të realizohet me çdo çmim, duke premtuar mbështetje të plotë të qeverisë që rruga të përfundojë me sukses të plotë.

Në fjalën e tij, z.Thaçi u ndal në periudhën para se Kosova të bëhej shtet i pavarur dhe theksoi se kjo rrugë u dedikohet të gjithëve duke shprehur mirënjohje dhe respekt ndaj atyre që luftuan qa shumë për Kosovën.

"Sot e gjithë Kosova ka festë. Sot po hapim një kapitull të ri, një kapitull të fuqizimit të Kosovës. Sot, qeveria që unë drejto, po fillon rrugën që na bashkon, emocionalisht dhe fizikisht me njëri-tjetrin në Evropë", - theksoi z.Thaçi duke vlerësuar se me nisjen e kësaj autostrade po bëhet realitet aspirata e qeverisë dhe dëshira e qytetarëve të Kosovës.

Edhe më herët, kryeministri Thaëi kishte theksuar se Autostrada Vërmicë-Merdare do të ketë efekt pozitiv në të gjithë rajonin.

Berisha: Nga korridori i kombit shqiptar do të përfitojë dhe Serbia

"Inaugurimi sot i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet nga pavarësia e Kosovës dëshmon dëshirën e shqiptarëve për të kapur kohën e humbur", u shpreh kryeministri në fjalën e tij me rastin e përurimit të nisjes së punimeve për autostradën Morinë-Prishtinë-Merdar që pritet të kushtojë rreth 750 milionë euro ose afro 7.5 milionë euro për çdo kilometër ndërtim autostrade.

Ai pohoi se korridori i kombit i hap Tiranës rrugën për të lëvizur në drejtim të vendeve të tjera evropiane kurse shtoi se rruga e re do të jetë në shërbim edhe të Serbisë në një të ardhme:

"Ky korridor është një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar rrugën e tyre evropiane", - tha Berisha duke siguruar më tej se "nuk do të jetë e largët dita, kur nga ky korridor të përfitojë Serbia, jo më pak se Maqedonia, Shqipëria apo Mali i Zi".

Berisha tha se autoritetet e Kosovës me këtë korridor, bënë një hap drejt integrimit evropian.

Kurse duke përfunduar pak çaste më parë fjalën e tij, z.Berisha premtoi se përurimi i kësaj autostrade do të pasohet dhe me ndërtimin e hekurudhës që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën.

a.b/d.r/NOA

KOMENTE