English

Dy vjet pas pavarësisë

Inaugurimi sot, i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnëNga Sali Berisha

Kryeminister i Shqipërisë

Lexoni dhe Specialen: Autostrada që lidh dy shtetet, nis zyrtarisht korridori i kombit shqiptar

Këtu, në Prizren, janë drejtuar sytë, mendja e zemrat e mbarë shqiptarëve, kudo që ndodhen. Sot, qytetarët e Kosovës, qeveria e Kosovës, edhe një herë e në të shumtën herë, i faktuan kombit e Zotit se ata janë të vendosur për çdo vendim, për interesin kombëtar, se ata, sikundër në të shkuarën, për këtë interes nuk njohin çmim, janë të gatshëm të paguajnë çdo gjë.

Inaugurimi sot, i korridorit të kombit, vetëm pak më shumë se dy vjet Kosovë e pavarur, dëshmon se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e lirë, dëshmon forcën magjike të lirisë, vullnetin e hekurt të shqiptarëve për të kapur kohën e humbur, për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë.

Korridori i kombit e bën Prishtinën një nga kryeqytetet më të afërta me detin, në rajon. Korridori i kombi i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Europës Qendrore. Por ky korridor është gjithashtu një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar idealin e tyre europian.

Korridori, së shpejti, do të jetë korridor bashkëpunimi dhe miqësie mes vendeve të rajonit. Unë kam bindjen më të madhe se nuk do të jetë e largët dita, kur nga ky korridor do të përfitojnë Serbia, jo më pak se Shqipëria, Maqedonia, jo më pak se Kosova.

Me këtë korridor, gjithashtu, qeveria e Kosovës, autoritetet e Kosovës bëjnë një hap të madh drejt krijimit të një infrastrukture të një shteti europian. Pra, edhe në këtë sens, korridori është korridori i integrimit të Kosovës drejt rajonit dhe Europës.

***

Ne, shqiptarët kemi pasur fatin, jo të mirë, të humbim shumë kohë, ndaj ne duhet të vrapojmë, të nxitojmë më shumë se çdo komb tjetër, për të kapur kohën e humbur. Vendimi që qeveria dhe autoritetet e Kosovës kanë marrë për ndërtimin e këtij korridori është vendimi i tyre më i rëndësishëm, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndaj dhe unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj tyre dhe përgëzimet më të sinqerta.

Por ky vendim është edhe mesazhi më i shkëlqyer që qytetarët e Kosovës dhe udhëheqja e saj politike i adresojnë sot, të gjitha kombeve që dhanë kontributin e tyre të madh në lirinë e Kosovës dhe rindërtimin e saj. Ky vendim është një vendim madhor për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

***

Ne inaugurojmë punimet e këtij korridori, këtu, në Prizren, qytetin e përjetësisë së idealit të shqiptarëve, qytetin e Lidhjes, qytetin, në të cilin shqiptarët, pas shekujsh, u zgjuan me një vështrim të ri drejt perëndimit, drejt Europës.

Edhe ky është një nder i madh që ne i bëjmë historisë sonë, një nderi i madh që ne i bëjmë përpjekjes së shqiptarëve për liri e dinjitet.

Do ta mbyll fjalën time, duke u zotuar para jush se inaugurimi i këtij korridori do të vazhdohet me inaugurimin e fillimit të punimeve të hekurudhës që do të lidhë Tiranën me Prishtinën dhe se Shqipëria është e vendosur të krijojë me të gjithë vendet përreth infrastrukturën më moderne, të krijojë me Kosovën infrastrukturën më intensive.

Edhe një herë urimet më të përzemërta për këtë ditë të madhe, ditë të bardhë që ju i dhuroni kombit shqiptar, rreth dy vjet pas pavarësisë.

(*) Fjala e mbajtur sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdar

KOMENTE