English

Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e Altin Lamajt

Tiranë, 25 Prill NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Altin Lamaj, për përjashtim të trupit gjykues, të kryesuar nga gjyqtari Artan Broci. Vendimi është marrë nga gjyqtari Gerd Hoxha, duke e cilësuar kërkesën e të pandehurit si të pabazuar në ligj, thanë sot për agjencinë NOA, burime nga Gjykata e Tiranës.

Në kërkesën e tij, Altin Lamaj, nipi i të ndjerit Vajdin Lamaj, ish-bashkëpronar i Top Albania Radio, arsyetonte se "gjyqtari ka shfaqur mendim për mënyrën e përfundimit të gjykimit të kësaj çështjeje, pas i ka rekomanduar mbrojtësve të të pandehurit mundësinë e kërkimit të procedimit me gjykim të shkurtuar, ky "sugjerim" është bërë menjëherë pasi janë rrëzuar kërkesat për pavlefshmëri të akteve.

Gjithashtu, gjyqtari ka shfaqur mendim për fakte dhe rrethana objekt procedimi, përpara dhënies së vendimi".

Sa i përket provueshmërisë së pretendimeve të tij, Gjykata e Tiranës vërejti se, mbrojtësit e të pandehurit nuk kanë paraqitur asnjë provë bashkëngjitur kërkesës për përjashtimin e gjyqtares, përveç kërkesës për dorëheqje të paraqitur nga gjyqtari Artan Broci dhe refuzimit të saj nga kryetari i Gjykatës.

Ndërkohë që në lidhje me pretendimin e palës mbrojtëse prokurorët e çështjes, Blerim Tominaj dhe Shpëtim Kurtaj shpjeguan përpara Gjykatës, se në asnjë rast gjyqtari i çështjes Artan Broci, nuk ka shprehur opinion apo, mendim të njëanshëm në favor apo, disfavor të të pandehurit Lamaj, apo të ketë bërë sugjerime lidhur me gjykimin e shkurtuar.

Për pasojë, prokurorët kërkuan rrëzimin e kërkesës së paraqitur, për përjashtimin e gjyqtarit Broci.

Pas pretendimeve të të dyja palëve gjykata vërejti se nga ana e palës kërkuese, të pandehurit Altin Lamaj nuk ishte paraqitur Gjykatës asnjë nga provë, për të provuar pretendimet e tij. Për këtë arsye gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së të të pandehurit Lamaj.

Altin Lamaj është duke u gjykuar nga Gjykata e Rrethit të Tiranës për veprat penale të "vrasjes me paramendim"; "vrasje me dashje"; "vrasje me paramendim" të mbetur në tentativë, të gjitha këto në bashkëpunim, "falsifikim të akteve të gjendjes civile", si dhe "mbajtje pa leje të armëve luftarake".

r.n/NOA

KOMENTE