Më shumë lajme nga Kronika
Kakavijë, 25 Prill NOA - Gra dhe fëmijë të cilët ishin pajisur me letra false janë marrë te "Zogu i Zi" në Tiranë me qëllim futej në tokën greke si klandestinë por një telefonatë "spiune" ka prishur planin e shoferit të autobusit që ra në pranga.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër thanë se kanë bërë arrestimin në flagrancë të 39-vjeçarit Taulant Gjikopulli, lindur dhe banues në Tiranë.
Burimet zyrtare policore i thanë agjencisë NOA se arrestimi i Gjikopullit u bë pas një kurthi që iu ngrit menjëherë pas informacioneve të marra nga "spiunët".
"Agjentët e sektorit për Kufirin dhe Migracionin në Gjirokastër kishin marrë informacione në rrugë operative se në autobuzin që drejtohej nga Taulant Gjikopulli, i linjës Tiranë-Athinë të firmës "Klid Ballkan", udhëtonin disa shtetas të cilët nuk kishin dokumenta të rregullta për të kaluar kufirin për në shtetin Grek.
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, autobuzi me tragë TR 29 32 T, që drejtohej nga Taulant Gjikopulli, ka mbërritur në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar Kakavijë, ku drejtuesi i automjetit është paraqitur në sportelet e përpunimit të dokumenteve me listën e pasagjerëve për të kryer veprimet.
Por ai nuk e dinte se ishte në kurth duke menduar se si zakonisht do të bëhej vetëm kontrolli rutinë i pasaportave dhe lejeve të qëndrimit të pasagjerëve.
Por kontrolli dhe verifikimi i listave të pasagjerëve ka rezultuar se në autobuz përveç pasagjerëve të cilët ishin të pajisur me dokumente të rregullta, gjendeshin edhe 6 shtetas të tjerë të cilët nuk ishin të regjistruar tek lista e pasagjerëve dhe ishin të papajisur me biletë nga agjencia e udhëtimit në Tiranë.
Nga hetimet paraprake rezultoi se këta shtetas nuk kishin hipur në agjencinë e udhëtimit në Tiranë, por i kishte marrë drejtuesi i automjetit Gjikopulli, tek "Zogu i Zi" në Tiranë dhe nuk ishin të regjistruar në listën e pasagjerëve dhe ishin të papajisur me dokumente.
Nga hetimet e mëtejshme të kryera nga ana e Specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër rezultoi se këta shtetas i kishin të falsifikuara lejet e qëndrimit për në shtetin grek. Sakaq në këto leje qëndrimi u konstatuan vulat e daljes nga Republika e Shqipërisë të cilat ishin të falsifikuara.
Të 6 shtetasit e evidentuar në autobuz ishin nga Lezha dhe Tirana dhe konkretisht, katër ishin nga Lezha, (gruaja me tre fëmijët e saj) dhe dy ishin nga Tirana (babai me vajzën).
Policia tha se u bë arrestimi në flagrancë i 39-vjeçarit Taulant Gjikopulli, për veprën penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit ".
Nga kërkimet në dosjet policore doli se Gjikopulli ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale të "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit".
Nga ana tjetër, policia tha se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale të "Falsifikimit të dokumenteve", për tre nga shtetasit e evidentuar në autobuz, pasi tre të tjerët janë fëmijë të moshës 4 deri në 9 vjeç.
v.d/r.n/NOA
Më shumë lajme nga Kronika