English

Jetësimi i një ëndrre të kahmotshme

Dua t'jua rikujtoj sot, në këtë ditë gëzimi, se në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur Kosova po përjetonte dhunën brutale të Millosheviqit, prijësi ynë historik, dr. Ibrahim Rugova doli me idenë e ndërtimit të kësaj autostrade, e cila, siç thoshte ai, do ta ndihmonte integrimin nacional të shqiptarëve dhe integrimin e gjithë rajonit në Evropë

Nga Fatmir Sejdiu*

President i Republikës së Kosovës

Lexoni dhe Specialen: Autostrada që lidh dy shtetet, nis zyrtarisht korridori i kombit shqiptar

Sot po nis jetësimi i një ëndrre të kahmotshme, ndërtimi i autostradës Vërmicë - Prishtinë - Merdar, e cila do ta lidhë Kosovën me Shqipërinë dhe me gjithë rajonin në udhën tonë të pakthyeshme drejt integrimeve euroatlantike. Që sot, po nis beteja e madhe për rrugën e shpresës sonë të përbashkët për zhvillim më të shpejtë ekonomik, sepse kjo autostradë do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve tanë. Por, përtej dobisë ekonomike, përtej lehtësive të mëdha që do të na sjellë në bashkëpunimin dhe njohjen e ndërsjellë, kjo udhë ka domethënie shumë më të fuqishme shpirtërore për ne, sepse shënjon përfundimin e ndarjes së padëshiruar që na është imponuar shekuj me radhë.

Duke shtrirë autostradën mes për mes Kosovës, ne do t'u japim mundësi qytetarëve të vendit tonë, po edhe të gjithë vendeve të tjera të rajonit, që më lehtë ta prekin bregdetin e bukur të Adriatikut dhe të Jonit shqiptar. Anasjelltas, kjo udhë, do t'ua bëjë më të afërt edhe fizikisht qytetarëve të Shqipërisë Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Therandën, Ferizajn, Prishtinën, Podujevën dhe gjithë Kosovën. Do të marrin fund kështu udhëtimet e gjata e shumë të lodhshme dhe do të hapen horizonte të reja për bashkëpunim intensiv tregtar, turistik, kulturor, sportiv etj. Kosova do të afrohet me detin, ndërsa Shqipëria do ta ketë një mundësi më shumë për lidhje tokësore me Ballkanin Perëndimor dhe gjithë Evropën. Kësodore, dobia do të jetë e shumëfishtë; çdo verë, qindra-mijëra pushues nga Kosova do të pushojnë në Shqipëri, duke ndikuar drejtpërdrejt në forcimin e ekonomisë së këtij vendi. Në anën tjetër, pushues të shumtë nga Shqipëria mund t'i shijojnë peizazhet e bukura të Kosovës, sidomos terrenet e jashtëzakonshme për turizëm dimëror dhe skijim. Me një fjalë, ata që kanë kundërshtuar lidhjen e dy vendeve tona me anë të kësaj autostrade, për shkak të kostos së lartë, shpejt do të binden se nuk kanë pasur të drejtë, ngase përfitimet që do t'i sjellë ndërtimi i saj do të jenë shumë më të mëdha.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës Zonja dhe zotërinj

Dua t'jua rikujtoj sot, në këtë ditë gëzimi, se në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur Kosova po përjetonte dhunën brutale të Millosheviqit, prijësi ynë historik, dr. Ibrahim Rugova doli me idenë e ndërtimit të kësaj autostrade, e cila, siç thoshte ai, do ta ndihmonte integrimin nacional të shqiptarëve dhe integrimin e gjithë rajonit në Evropë. Në fund, dua t'ju uroj të gjithëve udhë të mbarë nëpër këtë autostradë të së ardhmes sonë, më besimin se ajo do të realizohet sipas afateve dhe parametrave të parapara në Marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht të Ministrisë të Transportit dhe Telekomunikacionit dhe kompanisë Bechtel-Enka. Më lejoni, po ashtu, që në emër të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës t'i përgëzojë Qeverinë e Shqipërisë dhe Qeverinë e Kosovës që për asnjë çast nuk u lëkundën nga besimi se ne mund t'ia dalim mbanë dhe ta bëjmë këtë udhë, e cila dikur ishte vetëm një ëndërr e bukur.

Urime dhe fat!

(*) Fjala e mbajtur sot në ceremoninë e nisjes së punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdar

KOMENTE