Shkup, 25 prill, NOA - Lëvizja Qytetare "Zgjohu" në një deklaratë për mediat përshëndet fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës së kombit Morinë - Merdare. Lëvizja e cilëson këtë ndërtim si vazhdimësinë e realizimit të mrekullisë shqiptare në Ballkan e cila filloi me Pavarësinë e Kosovës, hyrjen e Shqipërisë në NATO dhe rrugën Durrës - Kukës.
"Dje, Kryeministri Berisha shembi murin e fundit që ndante Shqipërinë me Kosovën, sot Ministri Limaj po vazhdon realizimin e lidhjes së shqiptarëve dhe urojmë që nesër, damarët e kombit të kalojnë edhe nëpër Maqedoni nëpërmjet ndërtimit të Rrugës së Arbërit dhe autostradës drejt Prishtinës", thuhet në deklaratën e Lëvizjes "Zgjohu".
Më pas deklarata vlerëson se shqiptarët në rajon po demonstrojnë në mënyrën më të mirë integrimin paqësor dhe bashkëpunimin rajonal.
"Rruga e Kombit inaugurohet sot në kryeqytetin shpirtëror të të gjithë shqiptarëve dhe po rilidh kombin duke ringjallur dhe realizuar idealet e shqiptarëve ndër shekuj si dhe dëshmorëve të Ushtrive Çlirimtare Shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Diaspora", thuhet deklaratë.
m.xh/NOA