Tiranë, 26 Prill 2010 NOA Përmbledhje/ - Komiteti Drejtues Kombëtar (KDK), forumi më i lartë drejtues i LSI-së diskutoi për situatën politike që po kalon vendi, organizimin e LSI-së në kuadër të përballimit të sfidave te ardhshme, si dhe rolin i LSI-së në proceset integruese të vendit dhe në qeverisje. Gjithashtu, gjatë takimit përfaqësuesit e LSI-s në Qeveri, bënë një pasqyrë të punës së arritur deri më sot, pas tetë muajsh qeverisje si dhe prezantuan projektet për të ardhmen.
Gjatë mbledhjes KDK vendosi që Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së të zgjidhet Luan Rama, nënkryetar Petrit Vasili dhe Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun Ardit Çela.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi u ndal në kontributin që ka dhënë LSI-ja gjatë kësaj kohe në qeverisjen e vendit, duke theksuar në mënyrë të veçantë procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimin në Bashkimin Europian.
Z. Meta theksoi se LSI-ja ka dhënë kontribute të rëndësishme, jo vetëm për qeverisjen e vendit, por edhe duke intensifikuar përpjekjet për integrimin në BE. Ndër të tjera ai theksoi LSI-ja do të vazhdojë të jetë një forcë kontribuuese për arritjen e standardeve europiane dhe ftoi që pjesë e kësaj alternative të bëhet dhe opozita duke hequr dorë nga retorika negative.
Kryetari i LSI-së, z. Meta duke folur për kontributin e LSI-së,- theksoi se në vazhdën e garantimit të standardeve duhet të jetë dhe përgatitja e Kodit Zgjedhor. Proces në të cilin LSI-ja do ti kushtojë rëndësi angazhimit për një "një reformë të ndershme, ndryshe nga reforma e bërë për zgjedhjet e 28 qershorit sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR
Gjithashtu gjatë fjalës së tij Kryetari i LSI-së, z. Meta thekoi se afrimi i zgjedhjeve lokale duhet të shoqërohet dhe më përgatitjet përkatëse nga LSI-ja duke i kushtuar rëndësi problemeve që kanë qytetarët, por dhe profilit të kandidatëve që do të përfaqësojnë LSI-në në këto zgjedhje.
Ministrat Dritan Prifti dhe Petrit Vasali gjatë takimit pasqyruan para anëtarëve të KDK-së, reformat e ndërmarra gjatë këtyre të tetë muajve qeverisje.
Në përfundim të takimit Komiteti Drejtues Kombëtar bënë disa ndryshime në lidershipin e LSI-së. Me propozim të sekretariatit dhe me votim unanim nga të pranishmit u vendos Sekretar i Përgjithshëm i LSI-së të zgjidhet Luan Rama, N/Kryetar Petrit Vasili dhe Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun Ardit Çela.
e.r/NOA