Prishtinë, 25 prill, NOA - Autostrada Morinë-Merdare me të drejtë është cilësuar si projekti më i rëndësishëm i qeverisë së Kosovës. Rruga që do të inaugurohet sot nga drejtuesit e qeverisë së Kosovës dhe asaj shqiptare është vazhdimi i rrugës Durrës-Kukës dhe i garanton Kosovës daljen e saj në det.
Autostrada do të jetë e gjatë 117 km dhe do kushtojë rreth 700 milionë euro.
Ministri Fatmir Limaj, i cili është edhe në krye të Komitetit ndërministror për këtë projekt, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e punimeve, ndërkaq ka ftuar gjithë zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës që këtë fundjavë ta kalojnë në Vërmicë.
Autostrada do të ndërtohet nga konsorciumi amerikano-turk "Bechtel-Enka". Pjesa e parë e autostradës do të ndërtohet nga Vërmica deri në Duhël të Suharekës, ndërsa gjatësia e kësaj traseje pritet të jetë rreth 80 kilometra dhe për të do të paguhen prej 7,5 deri në 8 milionë euro për një kilometër rrugë. Ndërtimi i saj pritet të zgjasë 3 vjet dhe në punimet e saj do të marrin pjesë një numër i konsiderueshëm punëtorësh kosovarë.
m.xh/NOA