English

Ata që janë kundër integrimit

Është shumë e drejtë se përse shqiptarët sot kërkojnë që procesi i liberalizimit të vizave të ishte bërë që dje, që pardje, por unë mendoj se nuk kanë aspak të drejtë ata të cilët i kanë patur mundësitë për të realizuar shumë nga këto detyrime të këtij udhërrëfyesi, që duke mos dhënë asnjë kontribut, duke mos ardhur në Parlament që të votonin ligjet që duheshin për këtë proces kaq të rëndësishëm, duke mos realizuar asnjë interpelancë, përkundrazi vetëm kanë synuar dhe synojnë të frenojnë, të bllokojnë një proces i cili jo vetëm është njohur nga partnerët ndërkombëtarë si shumë i suksesshëm, i verifikuar në vend, por njëkohësisht dhe një proces që u intereson gjithë qytetarëve shqiptarë

Nga Ilir Meta*

Jemi mbledhur për të ndarë së bashku konsideratat për situatën politike të deritanishme, por edhe ato të pritshme dhe njëkohësisht për të shtuar kontributin tonë të përbashkët, jo vetëm për përmirësimin e qeverisjes së vendit, por në mënyrë të veçantë edhe për përballuar me sukses sfidat e ardhshme.

Në këtë kontekst do të theksoja se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme vendore, të cilat po trokasin dhe do të jenë një test shumë i rëndësishëm për forcën tone politike.

Por jo vetëm kaq, edhe një mundësi e shkëlqyer për të treguar rritjen e vlerësimit të qytetarëve shqiptarë për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe jo vetëm të tregojmë se rezultati i LSI-së në 28 qershor për shkak të një kodi diskriminues vetëm ndaj saj nuk ka asnjë lidhje me realitetin elektoral që ekziston në Shqipëri dhe gjithashtu për të treguar se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk u krijua për t'i shërbyer interesave të një grupi të caktuar, por është një forcë politike që hapur një rrugë të re dhe afatgjatë në Shqipëri me një investim gjatë këtyre viteve, por edhe gjatë kësaj periudhe në qeverisjen e vendit është në shërbim të zgjerimit dhe intensifikim të kësaj rruge të re për politikën shqiptare, që është rrugë e integrimit në Evropë, që është rruga e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, rruga e dialogut politik, e një konsensusi gjithë një më të gjerë social, pasi dihet që në Shqipëri sot ofrohet edhe një alternativë tjetër, që është alternativa, për fat të keq e shprehur nga vet ata e Kirgistanit.

Pra e shtyrjes së Shqipërisë në shkretëtira politike të cilat nuk kanë asnjë lidhje me realitetin në të cilin ndodhet ky vend, si një vend anëtar i NATO-s për shkak të atij angazhimi dhe kontributi të jashtëzakonshëm të të gjithë shqiptarëve, por njëkohësisht edhe për atë stad në të cilin sot ndodhet Shqipëria tetë muaj pas krijimit të kësaj qeverie koalicioni.

Është paradoksale t'ju kujtoj se ditën që dorëzohet Pyetësori i KE me përgjigjet e tij në Bruksel, po atë ditë në Tiranë kryetari i partisë më të madhe të opozitës bën thirrje për mosbindje civile, bën thirrje për konfrontim civil, pikërisht për të dëmtuar dhe penguar përshpejtimin e procesit integrues në Evropë që është në interes të gjithë shqiptarëve përtej së majtës dhe përtej së djathtës.

Ne jemi krenarë për një zgjedhje të vështirë që kemi bërë pas 28 qershorit, e cila është konfirmuar qartë si zgjidhja më e drejtë dhe që ka konsoliduar akoma më tej profilin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, brenda dhe jashtë vendit, si forcë konstruktive, si forcë që sjell shpresë dhe besim, si forcë që i kontribuon normalitetit demokratik, që punon për stabilitetin makroekonomik të vendit, që punon për zhvillimin ekonomik të vendit.

Këto kohë shumë të vështira për të gjithë botën edhe për shtetet më të zhvilluara, kur dihet se Shqipëria, pavarësisht nga vështirësitë ende të shumta po realizon një performancë të vlerësueshme duke qenë një nga të paktat vende në Evropë që ka një rritje të qëndrueshme dhe pozitive ekonomike.

Ndërkohë, ekziston edhe një alternativë tjetër, ajo e përhapjes së panikut, ajo e dëmtimit të besueshmërisë së vendit tek investitorët me qëllim për t'i larguar nga vendi, apo dhe më keq ajo e denigrimit të sistemi bankar i cili është shumë i qëndrueshëm dhe i garantuar duke vënë në pikëpyetje të mëdha, jo vetëm për seriozitetin e kësaj alternative, por edhe për qëllimet e saj të mbrapshta që nuk kanë asnjë lidhje me qytetarët e saj shqiptarë.

Unë falënderoj dhe shpreh vlerësimet më të mira për gjithë përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, në të gjitha nivelet e qeverisjes, që kanë kontribuar në mënyrë të veçantë gjatë kësaj kohe për dy nga aksionet më të mëdha dhe që janë zhvilluar paralelisht, një rast ky i paprecedent edhe për vende të tjera, për ndërmarrjen më të madhe të gjithë qeverisë dhe administratës për t'ju përgjigjur në një kohë rekord Pyetësorit të Komisionit Europian.

Së dyti për ndërmarrjen tjetër po kaq të madhe për përmbushjen në një kohë rekord të të gjitha detyrimeve të procesit të liberalizimit të vizave me Bashkimin Europian.

Është për të ardhur keq që në këtë angazhim për dy gjëra të mëdha që kanë të bëjnë me interesin e drejtpërdrejtë të të gjithë qytetarëve shqiptarë, jo vetëm nuk kemi ndjerë mbështetjen dhe ndihmën e forcave të caktuara në opozitë, por përkundrazi vëmë re një mungesë përgjegjësie dhe një pasion fatkeq për të nxirë çdo gjë, ndërkohë që nuk i bëjnë pyetjen vetes; Po ne çfarë kontributi dhamë për këto procese?

Është shumë e drejtë se përse shqiptarët sot kërkojnë që procesi i liberalizimit të vizave të ishte bërë që dje, që pardje, por unë mendoj se nuk kanë aspak të drejtë ata të cilët i kanë patur mundësitë për të realizuar shumë nga këto detyrime të këtij udhërrëfyesi, që duke mos dhënë asnjë kontribut, duke mos ardhur në Parlament që të votonin ligjet që duheshin për këtë proces kaq të rëndësishëm, duke mos realizuar asnjë interpelancë, përkundrazi vetëm kanë synuar dhe synojnë të frenojnë, të bllokojnë një proces i cili jo vetëm është njohur nga partnerët ndërkombëtarë si shumë i suksesshëm, i verifikuar në vend, por njëkohësisht dhe një proces që u intereson gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ndërkohë që ne punojmë për të forcuar paqen dhe stabilitetin në rajon, për të shpejtuar integrimin europian të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor njëkohësisht shikojmë dhe një alternativë tjetër e cila synon me pasion fals patriotik të na ktheje me dekada, për të mos thënë shekuj mbrapa në marrëdhënie me fqinjët tanë, që do të thotë se synon të shkatërrojë atë vlerë të jashtëzakonshme që ka Shqipëria sot për komunitetin ndërkombëtarë dhe aleatët tanë më të mëdhenj, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për NATO-n dhe për BE-në, si vendi i cili luan rolin më kyç në Ballkanin Perëndimor për të mundësuar paqen dhe stabilitetin dhe për të përshpejtuar integrimin e tij.

Pavarësisht nga të gjitha këto shqetësime dhe vërejtje që keni jemi të hapur për të bashkëpunuar dhe nxitur të gjithë faktorët në vend, sepse ju e dini se ky është vendi i të gjithëve, ky nuk është vendi shumicës dhe nuk është vetëm vendi i pakicës, sepse shumicat dhe pakicat janë ndërruar dhe do të ndërrohen edhe në të ardhmen, sepse ky është një vend normal demokratik, një vend që është pranë integrimit në Bashkimin Europian, ky është një vend i cili jep shpresë dhe besim për të gjithë dhe këtë gjë më mirë sesa kushdo e tregon rendja e investitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri. Projekte jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të mëdha që do ta forcojnë pozitën strategjike të Shqipërisë për zhvillimin e gjithë rajonit tonë.

Unë do të doja të theksoja rëndësinë që vazhdimit të kontributit tonë në qeverisjen e vendit, në mënyrën më aktive dhe konstruktive, duke u kërkuar gjithë përfaqësuesve tanë të demonstrojnë, jo vetëm profesionalizëm dhe aftësi, por edhe integritet dhe njëkohësisht përkushtim në zbatimin e ligjit. Duke qenë se është hera e parë që Lëvizja Socialiste për Integrim si forcë e re politike merr pjesë në qeverisjen e vendit, kjo është edhe një periudhë e rëndësishme dhe përcaktuese për të ardhmen e kësaj force politike dhe për vlerësimin që do të japin të gjithë qytetarët shqiptarë për të.

Unë dua të shpreh bindjen time të plotë se objektivat tona të shpallura edhe në Planin për Veprim do të realizohen në kohën e duhur sipas axhendës edhe qeverisë, edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sipas mundësive në rritje të situatës ekonomike dhe financiare të vendit pasi në fund fare ne nuk do vlerësohemi nga ato që thotë njëri apo tjetri, por do të vlerësohemi nga ato që do të arrijmë dhe që Shqiptarët do ti prekin vetë gjatë viteve që vijnë.

Sikurse e përmenda më parë jemi në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore, që është një moment shumë i rëndësishëm, pasi ne po shohim se për shkak të politizimit ekstrem qytetet tona, duke filluar që nga kryeqyteti nuk po qeverisen, por po kthehen në sheshe betejash pa kuptim në dëm të të ardhmes së këtyre qyteteve, në dëm të cilësisë së jetës së qytetareve tanë dhe është një fenomen që për fat të keq është përhapur në gjithë vendin. Ndaj është e rëndësishme që qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme vendore të vlerësojnë në bazë të angazhimit për të zgjedhur problemet dhe shqetësimet e tyre të përditshme përfaqësuesit më të mirë.

Njëkohësisht është detyra jonë që tani që të punojmë për zgjedhjen e kandidatëve tanë më të mirë, më serioze, më të përkushtuar ndaj komunitetit dhe njëkohësisht edhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim pasi në të kaluarën kemi patur edhe raste ku kemi gabuar, por, natyrisht, prandaj jemi këtu për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës.

Në këtë drejtim unë do t'i kushtoja një rëndësi të veçantë angazhimit tonë dhe gjithë klasës politike në vend për një reformë të ndershme, ndryshe nga reforma e bërë për zgjedhjet e 28 qershorit e cila kishte një karakter monopolizues dhe njëkohësit diskriminues. Në këtë drejtim ne theksojmë rëndësinë e angazhimit të OSBE-ODIHR dhe do të punojnë për një reformë gjithë përfshirëse.

Ata të cilët kanë vërtetë shqetësimet e votave dhe të transparencës duhet të tregojnë vullnet në radhë të parë për tu distancuar nga ato gabime që bënë në reformën e kaluar zgjedhore, të tregojnë një vullnet gjithëpërfshirës në reformën e ardhshme elektorale.

Ndërsa përsa i takon çështjes së kutive janë dy alternativa, një alternative është që t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse ne jemi vend demokratik dhe është gjykata Kushtetuese ajo që jep fjalën e fundit për çdo çështje që vë në diskutim problemet e gjyqësorit dhe pavarësisë së tij dhe ne kemi treguar që punojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, por ka dhe një çështje tjetër që i verifikon kutitë, këto janë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme vendore dhe askush nuk duhet të këtë frikë nga transparenca dhe nga rezultati i tyre.

(*) Fjala e Kryetarit të LSI-së, mbajtur sot gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar (KDK)

KOMENTE