Bechtel-Enka-s iu dha çmim i shtrenjtë me arsyetimin se e bënin shpejt, mirë dhe fitonim në kohë. Nuk e bën as shpejt, as mirë, se u është rrëzuar tuneli dhe kësaj kosto tani, nëse mund t'i besosh Lulzim Bashës që në një vit fitojmë 300 deri 400 mijë euro, i duhen shtuar dhe këto humbje
Nga Mero Baze*
Më shumë Opinione
Shpesh herë kombet e vonuara në zhvillim mund ta përdorin vonesën si përparësi kur u vjen koha të zhvillohen, pasi mund të startojnë me një qartësi më të madhe projektet për zhvillimin e vendit duke mësuar nga gabimet e të tjerëve.
Shqiptarët janë në përgjithësi kombi më pak i zhvilluar i rajonit, por për fat të keq këtë vonesë nuk po e kthejnë në përparësi, por në regres.
Shqipëria e vonuar nga izolimi komunist për 50 vite, pati shans të zhvillonte një koncept të qartë për shembull për zhvillimin e turizmit apo për infrastrukturë, duke mësuar nga gabimet e të tjerëve.
Në të vërtetë, ajo nuk adoptoi asnjë model, por bëri me qetësi gjithë gabimet e mundshme. Dhe kur erdhi shansi që të ndërtonte një rrugë me standarde dhe transparencë, ndërtoi një piramidë financiare, e cila po i kushton shtrenjtë tanimë ekonomisë shqiptare.
Vetëm segmenti Rrëshen-Kalimash i kësaj rruge, i cili iu dha pa projekt dhe me kontratë diskriminuese shoqërisë Bechtel-Enka, kushton rreth 1 miliard euro dhe nuk është ndërtuar ende, ndërkohë që kontrata parasheh përfundimin e saj në vitin 2009, kur dhe u përurua dy herë për fushatë elektorale.
Bechtel-Enka-s iu dha çmim i shtrenjtë me arsyetimin se e bënin shpejt, mirë dhe fitonim në kohë. Nuk e bën as shpejt, as mirë, se u është rrëzuar tuneli dhe kësaj kosto tani, nëse mund t'i besosh Lulzim Bashës që në një vit fitojmë 300 deri 400 mijë euro, i duhen shtuar dhe këto humbje.
Gabimet më të qarta ishin tre. E para, që nuk u prit të behej projekti, e dyta, që u dha kosto për njësi dhe e treta, që kontrata ishte diskriminuese për qeverinë shqiptare.
Këtë fundjave ky teatër u përsërit në Prizren.
E njëjta kompani, filloi ndërtimin e rrugës nga ana e Kosovës. Sërish pa projekt, sërish me kosto për njësi dhe sërish pa qartësi për burimet e financimit të qeverisë, sërish në përurim Berisha dhe Thaçi.
Kjo përsëritje e gabimeve tregon se Shqipëria nuk e ka bërë nga emergjenca atë zgjidhje, por nga oferta e zbatuesit të projektit. Kosova ka pasur boll kohë, që kur Hashim Thaçi ka ardhur në pushtet para dy vjet e gjysmë, që të bënte një projekt dhe të hapte tenderin për ndërtimin e rrugës.
Ditën që u bë kryeministër, e kishte premtim kryesor ndërtimin e kësaj autostrade dhe në një debat që kemi pasur në Prishtinë, tha se projekti është gati. Mund t'ia falim gënjeshtrën që se ka pasur gati pa u bërë kryeministër, por ka pasur boll kohë ta bëjë për këto dy vjet. Është e patolerueshme që një vend i varfër si Kosova, të ketë luksin t'i lërë në dorë projektin një kompanie turke me etiketë amerikane, e cila shihet qartë se e ka çmimin mbi dhjetë herë më të shtrenjtë se çdo kompani shqiptare.
Rruga e Kosovës nuk është as e vështirë, sa të mos e bënte projektin një kompani normale projektimesh dhe e gjithë kjo situatë nuk kishte pse futej në një kuadër emergjence. Fakti që Kosova po importon nga Shqipëria çdo detaj të skandalit që po i kushton miliona euro ekonomisë së rrënuar shqiptare, tregon se e njëjta gjë nga ndodhur dhe në Tiranë.
Berisha ka pranuar ofertën korruptive dhe tani kjo po kthehet në traditë kombëtare. Pra, nëse kjo rrugë ka një gjë patriotike në kuptimin folklorik të fjalës, është që po krijohet një traditë kombëtare e vjedhjes përmes projekteve në emër të kombit.
Shqipëria sot ka hyrë në spiralen e borxheve dhe kredive të papërballueshme për shkak të kredisë emergjente që na u desh të marrim një vit më parë me interes të lartë, për të shlyer këtë kompani që ende nuk na e ka mbaruar rrugën.
Tani qeveria po detyrohet të nxjerrë rreth 400 milionë euro bono thesari në tregun evropian me shpresë të marrë ca euro të tjera për të shlyer interesat e borxhit të marrë. Kosova, vështirë se do të ketë fuqi të futet në këtë spirale, ndërkohë që kjo rrugë kushton sa gjysma e buxhetit të planifikuar vjetor të saj.
Është aventurë e madhe të përsërisësh gabime në emër të kombit dhe krim i madh të korruptohesh në emër të tij.
(*) Dërguar nga autori, qëndrimet janë personale
Më shumë Opinione