English

Ekspozitë e pazakontë në kryeqytet, "Na ishte njëherë Tirana" (1973-2010)

Tiranë, 26 prill, NOA / Milena Selimi - Një ekspozitë e pazakontë është hapur këtë fundjavë në galerinë "Kledio" në Tiranë e artistit Stefan Taçi, me titull "Na ishte njëherë Tirana" (1973-2010), në akuarel, punime në vaj dhe disa skulptura.

Një vështrim viziv i artistit në rrugicat ku ka jetuar, në hapësirat ku ka marrë impresionet e para të jetës që më vonë janë ridëshmuar në çaste artistike.

Në këtë ekspozitë vjen Tirana e dikurshme, ashtu si e ka parë piktori, me lëvizjet, ndryshimet dhe gjithë hapësirën arkitektonike.

Më ngushtë, akoma në këtë ekspozitë merr rëndësi rrugica, e cila shfaqet nga disa këndvështrime, në kohë e hapësirë, diku më e studiuar e diku thjesht impresion i çastit, por e tëra përbën vazhdimësinë e jetës së saj.

Taçi shprehet se "duke e vëzhguar e vizatuar kohë pas kohe bashkë me të jemi rritur e ndryshuar, madje pa dashjen time jam bërë kronikan i saj. Përtej eksplorimit apo eksperimentit artistik, kam dashur të shpalos këtu dëshminë time të sinqertë edhe si akt dashurie ndaj Tiranës, e përfaqësuar në këtë rast prej rrugicës".

Banorët e vjetër do kenë rastin t'i rikthehen memories, të kujtojnë edhe ata që janë larguar nga kjo jetë, që janë martuar, ikur apo emigruar, banorët e rinj kanë rastin ta njohin si ka qenë.

Megjithatë, pavarësisht se rrugica është tema qendrore e ekspozitës, piktori nuk i shpëton tundimit të zgjedhë një copëz të ruajtur nga portreti në skulpturë i komshiut të vogël Ilir, realizuar në verën e vitit 1978.

Dy-tre peizazhe nga periferia si "Parku" apo "Pemishtet e Laprakës" tashmë të kthyera në pallate, plotësojnë deri diku tërësinë e këtij mozaiku, si dhe vepra që Stefan Taçi ka realizuar në ambientet publike të Tiranës, busti i simbolit të fisnikërisë tiranase, dr. Ndroqit (vendosur në hyrje të sanatoriumit që tashmë mban emrin e tij), realizuar në vitin 2002 edhe me mbështetjen e shoqatës "Tirana".

"Në këtë dëshmi artistike e urbane nëse mund ta quajmë kështu, nuk kam dashur të flas për historitë e dhimbjes, trishtimit, groteskut e absurdit, të përjetuara gjatë kohës së ideologjisë ekstreme apo më pas. Nuk ka qenë ky qëllimi, thjesht jam përpjekur të tregoj një histori, e cila në fund të fundit është edhe historia juaj. Ndoshta është çështje kohe kur pallatet me tentakulat e tyre prej hekuri e betoni do të aviten për ta zhdukur këtë copëz historie, e kjo besoj është një arsye më shumë për të ekspozuar", - shprehet piktori.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fillim të muajit maj.

"Nga më të vjetrit kishte dëgjuar të thuhej se ka pasur dy Tirana, një e madhe dhe një më e vogël. Nuk di sa qëndron ky mendim e nëse nënkupton kodrina, kullota apo rezidenca banimi, por më joshte ideja për të mos e anashkaluar këtë detaj gjuhësor e njëkohësisht mjaft domethënës për historinë e Tiranës.

Përse kjo ekspozitë tani, mund të pyesë dikush. Përse jo, do përgjigjesha unë. Në fakt, ekspozita të tilla ku mbizotëron pjesa retrospektive e krijimtarisë, pavarësisht e ekspozuar ose jo, zakonisht hapen pas vdekjes së autorit. Nuk besoj, madje dyshoj shumë se kjo do të bëhet, kështu që mendova të ekspozoj e njëkohësisht të dëshmoj sa jam akoma gjallë. Për më tepër, jetojnë akoma ata që e kanë njohur Tiranën e natyrisht rrugicën tonë dekada më parë e, në një farë mënyre ky është edhe dedikim për ta. Por personazhi kryesor i kësaj ekspozite është rrugica, vendi ku jetoj sot e kësaj dite. Ngacmimi për ta pikturuar ka qenë mjaft i hershëm dhe ka zgjatur deri vonë. E kam parë atë në diell e në shi, të ngrysur e bosh, të qeshur në pranverë apo të zbardhur nga bora e dimrit, e kam parë edhe të mërzitur kohë pas kohe e po aq të harbuar nga lojërat dhe ecejaket e njerëzve.

Ajo hapësirë e vogël pas pallatit, përfshi edhe shkallët apo oborret përballë, ishte mbretëria jonë e lojërave si futbolli, shkopa-cinglash, loja me zara apo kopaca (komça), topagropthi, kukafshehti, biz, loja tresh apo damë, lojë luftash e deri gjuajtje me thika te porta e drunjtë e njërit prej dy garazheve që ndodheshin aty në cep të pallatit.

Ikja nga kjo atmosferë në vitet ‘70-‘71, sado që nuk isha larg, ndikoi emocionalisht për ca kohë, aq sa unë për vite të tëra vazhdoja ta kaloja kohën time të lirë atje. Ishte një kompromis midis vendbanimit të ri dhe atij të vjetër, një gjendje tranzicioni sipas fjalorit aktual mediatik.

Sidoqoftë kishte një dallim esencial në këto dy hapësira banimi, diçka që e kuptova më vonë, ndoshta instiktivisht, por ndryshimin më shumë e ndjeja se sa e dalloja. Pallati ynë, si dy të tjerët në vazhdim, ishte ndërtuar në aksin lindje-perëndim, paralel me rrugën e Kavajës (Konferenca e Pezës), e në ndryshim nga fasada që ngopej me diellin e jugut pjesa nga pas ku ne luanim më shumë gjendej në hije. Në vendbanimin e ri, për habinë time mbretëronte dielli e kjo jo vetëm për faktin se shtëpitë aty ishin të ulëta, një apo dy kate, por se vetë rrugica që ishte pa dalje në fund shtrihej në aksin jug-veri e dielli sapo dilte e deri sa perëndonte lodronte mbi të.

Pa folur për pemët e shumta që ndodheshin në oborret private e kumritë që gugatnin rrotull tyre. Kryesisht kishte hurma, shegë, kumbulla, pak rrush, qershi e natyrisht lule me bollëk, sidomos mullaga e lule-bore.

Rrugica përfaqësonte Tiranën, madje ishte gati një Shqipëri e vogël.

Natyrisht aty spikatnin familjet e vjetra e të mëdha Bogdani, Kallçiu, Zela, Hobdari apo familja karizmatike e Besim Levonjës, autorit të komedisë së famshme "Prefekti". Pjesa tjetër e banorëve kishin ardhur më vonë e prejardhja e tyre përfshinte pothuajse gjithë krahinat e vendit", është panorama që jep Stefan Taçi.

m.s/n.e/NOA

KOMENTE