Fier, 26 prill, NOA - Kanë hyrë me maska dhe armë në një lokal për të vjedhur, por kanë mbetur të zhgënjyer kur zbuluan se mundimi i tyre shkoi huq, pasi kasaforta ishte bosh.
Të inatosur, ata kanë goditur më pas punonjësin e lokalit, 25-vjeçarin Ervis T., duke i marrë portofolin që mbante në brez, ku i ndodheshin 700.000 mijë lekë të vjetra dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Fierit, ku sipas burimeve policore njoftohet se konkretisht grabitja u krye në lokalin e lojërave të fatit, në pronësi të një personi me inicialet S.M.
Detajet e ngjarjes tregojnë se kanë qenë dy persona rreth moshës 25 vjeç, të maskuar me kokore, të cilët dyshohet se me përdorim të armës, kanë kërcënuar punonjësin e këtij lokali duke i kërkuar që të hapë kasafortën dhe t'u japë lekët.
Dhe pasi panë se ajo ishte bosh, ndodhi edhe grabitja e parave të lartpërmendura në portofolin e rojes së lokalit.
Nga ana e grupit hetimor po punohet në mënyrë intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje.
n.e/NOA