EKSKLUZIVE/ Agjencia NOA siguron afatet e sakta kohore dhe procedurat lidhur me miratimin e propozimit për heqjen e regjimit të vizave Schengen për shtetasit shqiptarë
Vizat, zbardhen të gjitha vlerësimet e KE
KiE: Të rifillojë dialogu në Parlament
Dade: Berisha na e ka fajin për vizat
Basha: Vizat, presim përgjigje pozitive
Bruksel, 26 Prill NOA - Liberalizimi i vizave në vendet e Bashkimit Evropian për shtetasit shqiptarë që posedojnë pasaporta biometrike do të shpallet zyrtarisht në shtator 2010 dhe në 31 tetor 2010 me botimin në Fletoren Zyrtare do të marrë fuqi ekzekutuese çka do të thotë se kjo është dhe data më e mundshme kur shqiptarët do të dalin lirisht për në vendet e BE.
Agjencia NOA ka siguruar afatet e sakta kohore dhe procedurat lidhur me miratimin e propozimit për heqjen e regjimit të vizave Schengen për shtetasit shqiptarë. Sqarojmë se datat janë shpallur bazuar në axhendën e organizmave evropiane dhe janë marrë për bazë afatet më të largëta kohore të mundshme, pra deri në javët e fundit të vjeshtës së këtij viti.
Në vijim të përgatitjes nga Komisioni të raportit të vlerësimit për përmbushjen e kushteve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave nga Shqipëria, hapat e parashikuara/procedurat me afate kohore, janë si më poshtë:
- Fillon prezantimi dhe diskutimi i raportit të vlerësimit në formatet e Coweb (Këshilli) dhe LIBE (Parlamenti Europian) në datat 26 dhe 27 prill 2010 respektivisht;
- Përgatitja e propozimit legjislativ nga Komisioni në kohë për t'u shpallur publikisht nga Samiti i Ministrave të Jashtëm BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Sarajevë me 2 qershor 2010;
- Me marrjen e dritës jeshile nga Komisioni, Parlamenti Europian do të përgatisë vendimin përpara pushimeve të gushtit, për ta diskutuar në komisionet përkatëse (Komisioni i Brendshëm - LIBE dhe Komisioni i Jashtëm - AFET) dhe miratuar në sesion plenar gjatë muajit shtator 2010;
- Këshilli i Ministrave të Brendshëm dhe Drejtësisë do ta marrë vendimin gjatë takimit të datës 7/8 tetor 2010;
- Kjo do të bëjë të mundur që regjimi i liberalizuar i vizave për Shqipërinë të bëhet realitet pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE, në fund të muajit tetor 2010, data maksimale 31 tetor 2010.
Përveç kësaj procedure legjislative, gjatë muajit qershor 2010, Ministrat e Brendshëm dhe Ministrat e Jashtëm mund të mbështesin politikisht procesin gjatë takimeve të parashikuara përkatësisht në 3/4 qershor (JHA Council) dhe 14 qershor 2010 (GAC).
r.n/NOA