English

KiE: Të rifillojë menjëherë dialogu politik në Parlament

English Version Subscribers only

Strasburg, 26 Prill 2010 NOA - Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKE), u mblodh sot në mëngjes në Strasburg dhe miratoi deklaratën e posaçme për Shqipërinë ku bën thirrje për rifillimin e dialogut politik në Parlament.

Byroja e Asamblesë thotë se është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar.

Kurse konstaton se më 25 shkurt, deputetët e Partisë Socialiste hynë në Parlament dhe bënë betimin, pasi bojkotuan për gjashtë muaj punimet parlamentare duke kushtëzuar prezencën e tyre në Parlament me aprovimin e dy projekt-ligjeve që kishin përgatitur, për të cilët pretendojnë se janë hartuar për t'i bërë zgjedhjet e qershorit 2009 plotësisht transparente.

KiE evidenton dhe se më 19 mars, Parlamenti aprovoi një projekt-vendim për ngritjen e një komisioni hetimor mbi zgjedhjet legjislative të qershorit 2009.

Më tej Byroja e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Evropës thekson se në mungesë të një marrëveshjeje mes dy partive kryesore lidhur me mandatin e këtij komisioni hetimor, deputetët e Partisë Socialiste refuzuan të marrin pjesë në këtë komision. Mbledhja e tij është shtyrë dhe nuk është mbajtur.

"Duke patur parasysh këtë bllokim të situatës, si dhe faktin se, si manifestimet e partive të opozitës dhe ato të partisë në fuqi duhet të zhvillohen më 30 prill dhe 1 maj 2010, Byroja e Asamblesë i bën thirrje të gjithë drejtuesve politikë të garantojnë rifillimin e dialogut politik brenda Parlamentit dhe të sigurojnë mbështetjen e popullit në këtë proces demokratik", - thuhet në deklaratën e posaçme.

Kurse sugjerohet se "të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë aktivisht dhe në vazhdimësi në punimet e Parlamentit" dhe se "duhet të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve të Shtetit me qëllim që të çojë përpara reformat urgjente të nevojshme për integrimin Evropian të vendit".

Në përfundim të deklaratës së posaçme Byroja sjell në vëmendje gjithashtu mundësinë, tashmë të përmendur gjatë vizitës së Komitetit Presidencial, për Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me qëllimin e hetimit që do të zhvillohet nga komisioni parlamentar, veçanërisht për sa i përket rihapjes së kutive të votimit.

r.n/NOA

English Version Subscribers only

KOMENTE