Arrestohen 7 aktivistë të Vetëvendosjes gjatë varrimit të Aliut. Këndvështrime të ndryshme mbi ngjarjen nga Vetëvendosje dhe Policia e Kosovës
Më shumë lajme nga Kosova
Foto të tjera, te Galeria
Prishtinë, 26 Prill NOA - Shtatë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar pasditen e sotme por për të kryer operacionin, policia në Kosovë ka shfrytëzuar pikërisht varrimin e të ndjerit Aliu Aliu, babai i një prej drejtuesve të kësaj organizate, Liburn Aliu.Ngjarja ndodhi sot rreth orës 17.00 raporton korrespondenti i agjencisë NOA, kurse Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ka ndërhyrë dhunshëm duke tentuar të arrestojë Albin Kurtin, por nuk ia ka dalë dot.
Megjithatë, forcat speciale kanë arrestuar në mënyrë brutale 7 aktivistë kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje!, tha para pak minutash një zëdhënëse e organizatës e cila theksoi se gjatë arrestimit ka pasur dhunë të egër e të pajustifikuar.
Midis të arrestuarve janë Frashër Krasniqi, Salih Zyba, Lirim Gashi, Gezon Kastrati.
Aktivistët e arrestuar janë për momentin ne Urgjencën e spitalit te Prishtinës. Njëri prej tyre Salih Zyba i cili është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore nga ndërhyrja e dhunshme e njësitit special, thanë burime nga Lëvizja.
Sakaq, Policia e Kosovës lëshoi një komunikatë para disa minutash ku deklaronte se sot rreth orës 17:30 në rrugën "Ahmet Krasniqi" në Prishtinë ka provuar të ndalojë një veturë në të cilën dyshohej se ishte i kërkuari me fletë arrest nga Gjykata, Albin Kurti.
"Në përpjekje për t'iu shmangur ndalimit nga ana e policisë ngasësi i veturës nuk ka përfillur urdhrin për ndalje si dhe në të njëjtën kohë ka goditur me veturë policët që ishin në pikë kontrolli", - thuhet në komunikatë.
Kurse shtohet se si rezultat i goditjes me veturë tre policë kanë pësuar lëndime për shkallën e të cilave pritet vlerësimi nga ana e mjekut specialist dhe se "përveç kësaj një numër i konsiderueshëm personash që ishin në shoqërim të personit të kërkuar nga ana e policisë kanë penguar policinë në kryerje të detyrës si dhe kanë sulmuar policët duke u shkaktuar atyre lëndime të lehta"."Në përpjekje për të neutralizuar veprimet agresive të personave të sipër cekur policia ka arrestuar 7 prej tyre si dhe ka konfiskuar veturën me të cilën ishin goditur policët në pikën e kontrollit", - tha Policia e Kosovës.
Ndërkaq në harkun kohor në mes të urdhrit për ndalim të veturës nga ana e policisë si dhe arrestimit të ngasësit të veturës dhe konfiskimit të saj i dyshuari i cili ka qenë i kërkuar me urdhër Gjykate ka ikur nga vetura, - u shpreh Policia.
Ajo tha se aktualisht është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore edhe procedurale ndaj të arrestuarve para se rasti ti kaloj Gjykatës kompetente.
Lexoni edhe: Ndahet nga jeta Aliu Aliu
a.b/r.n/NOA