English

PD, Rusmali komenton deklaratën e KiE për aktivitetin e PS në Kuvend

Strasburg, 26 Prill NOA - Kryetari i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare në KiE, (Këshilli i Evropës) Ilir Rusmaili në një prononcim për mediat ka komentuar sot nga Strasburgu deklaratën e lëshuar nga Byroja e Asamblesë Parlamentare të KiE.

Në këtë deklaratë, KiE kërkonte që të rifillojë dialogu në Parlament.

Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e cila u mblodh sot në Strasburg shprehu shqetësimin për situatën politike në Shqipëri si dhe kërkoi rifillimin e dialogut politik në parlament.

I pyetur si e lexon këtë deklaratë, z.Rusmali tha se deklarata është shumë e qartë shumë e drejtpërdrejtë, shumë e çiltër dhe shumë miqësore.

"Është një deklaratë që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe shqiptarët do ta mbështesin fuqimisht dhe do ta marrin seriozisht. Sigurisht që deklarata nuk ka tone alarmante, sigurisht që deklarata nuk mban anën e asnjërës nga palët por mban anën e Shqipërisë".

Sipas Rusmalit, deklarata nuk lë pa evidentuar faktin që në Shqipëri ka ndodhur një pjesëmarrje e pjesshme e opozitës në jetën parlamentare dhe jo të plotë siç kërkoi Komiteti Presidencial gjatë vizitës së tij, nuk lë pa evidentuar faktin se Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur me nismën e opozitës, sot është i pezulluar për shkak se opozita refuzon pjesëmarrjen e saj.

Nisur nga këto zhvillime më të fundit, - tha Rusmali, - deklarata përtej vijës së Komitetit Presidencial të KiE, i bën thirrje palëve që të forcojnë dialogun politik dhe ti kthehen në mënyrë permanente jetës parlamentare, jetës funksionale sepse vendi ka nevojë për reforma urgjente.

"Në radhë të parë dhe mbi të gjitha për reformën zgjedhore që pretendohet aq shumë nga opozita. Por është një thirrje që në fakt i intereson dhe opozitës, dhe opozita le t'i përgjigjet asaj me sens pozitiv ashtu sikurse duhet ti përgjigjet rekomandimit që edhe Byroja e Asamblesë Parlamentare i jep së bashku me Komitetin Presidencial që erdhi në Shqipëri, pra që opozita të përdorë të gjithë instrumentat ligjorë që ka në dorë për t'i kërkuar Gjykatës Kushtetuese dhe më vonë Komisionit të Venecias interpretim profesional mbi vendimin e saj, në kuadrin kushtetues për investigimin e zgjedhjeve", - deklaroi Rusmali.

Sipas tij, "kjo është një deklaratë që nuk lë mundësi për shmangie sikurse edhe deklarata e mëparshme e Komitetit Presidencial, përsëritet ftesa në radhë të parë për opozitën që në rast se ka një shqetësim në interpretimin e vendimit të kushtetueses t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias".

Më shumë mbi argumentin e ditës:

Heqja e vizave, NOA publikon datën: 31 Tetor 2010

Vizat, zbardhen të gjitha vlerësimet e KE

KiE: Të rifillojë dialogu në Parlament

Dade: Berisha na e ka fajin për vizat

Basha: Vizat, presim përgjigje pozitive

Të mos harrojmë, - vijoi Rusmali, - që kryetari i Partisë Demokratike si dhe kryeministri i vendit këtë rekomandim serioz dhe miqësor që vinte nga ndërkombëtarët, e ka pranuar ditën që ky rekomandim u paraqit ndërkohë që lideri i opozitës zoti Rama në ditën që ky propozim u paraqit ka bërë refuzim të prerë të tij. Përsëritja e rekomandimit nga byroja do të thotë që shpresat nuk kanë humbur që zoti Rama më në fund ta pranojë këtë rekomandim.

Ndërkohë, i pyetur se cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë mazhoranca pas deklaratës së plotë të byrosë së APKE, z.Rusmali tha:

"Ne duhet të mos humbin shpresat se opozita do t'i kthehet rrugës institucionale, të mos humbim shpresat se Komisioni Hetimor, Komisionet Parlamentare dhe vet Parlamenti do të kenë dhe kontributin e opozitës në reformat e mëdha që kemi".

"Ne jemi të vendosur të shprehim gjithë gatishmërinë tonë që ne i mirëpresim ata në çdo kohë, i mirëpresim ata me vullnet të mirë, që pjesëmarrja e tyre në jetën parlamentare veçse mirë i bën vendit veçse mirë i bën edhe vetë opozitës", - përfundoi z.Rusmali.

r.n/NOA

KOMENTE