English

Promovohet në Itali çelja së afërmi në Tiranë e Panairit Ndërkombëtar të Teknologjisë

Bari, 26 Prill NOA - Me praninë e dhjetëra mediave të shkruara dhe televizive italiane u zhvillua dje në Bari të Italisë, konferenca e shtypit për organizimin e përbashkët ndërmjet Konfindustrisë dhe Fiera de Levante të Panairit Ndërkombëtar të "Teknologjisë, Energjisë dhe Mjedisit-EcoBizExpo". Konfindustria u përfaqësua nga Administratori i Përgjithshëm Gjergj Buxhuku ndërsa për palën italiane nga Presidenti i Fiera del Levante Servizi Antonio Ciuffreda.

Ky panair çelet më 29 prill në Tiranë tek Pallati i Kongreseve. Në panair do të marrin pjesë me dhjetra kompani të specializuara në fushat e mësipërme të ardhura nga Italia, Austria, Cekia, Hungaria, Gjermania, Shqipëria, Kosova, etj.

Aktiviteti zhvillohet me kujdesin e veçantë të Ministrisë së Ekonomisë së Italisë, Rajonit të Pulias, etj. si dhe disa ministrive të fushës të Shqipërisë dhe Kosovës. Në pavijonet e panairit dhe në forumet, që do te zhvillohen gjate ditëve te tij do te paraqiten teknologjitë me te fundit për prodhimin e energjisë elektrike ne përgjithësi dhe energjive te ripërtërishme me burim ujin, diellin, erën, etj.

Vend të veçantë në aktivitetet e panairit do të ketë paraqitja e projekteve të zhvillimit të prodhimit të energjisë elektrike nga energjia bërthamore parë në garantimin e kushteve mjedisore të domosdoshme sipas standardeve më të larta ndërkombëtare.

Z. Buxhuku tregon për agjencinë NOA se është parashikuar të paraqiten gjithashtu paraqitja e teknologjive për industritë mjedisore si dhe paraqitja në pavijon të veçantë i teknologjive dhe projekteve zhvilluese financuese institucionale në fushën e bujqësisë dhe agro-industrisë si pjesë përbërëse e rëndësishme e standardeve mjedisore dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Pavijoni i teknologjive të industrisë së telekomunikacionit dhe industrive aeroportuale gjithashtu do të paraqesë interes për vete zhvillimin e fushave të mësipërme në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.

Gjatë ditëve të panairit do të zhvillohen takime të përbashkëta ndërmjet bizneseve të interesuara si dhe takime institucionale për njohjen e legjislacionit dhe të mundësive për bashkëpunim dhe investim në Shqipëri, Kosovë, etj.

Në panair do të përfaqësohen gjithashtu bankat më të rëndësishme të investimeve dhe tregtare ndërkombëtare dhe të vendit të pranishme në Shqipëri dhe rajon që do të kenë rastin të paraqesin produktet e tyre financiare për bizneset e shumta të pranishme dhe vizitorë.

r.n/NOA

KOMENTE