Durrës, 26 prill, NOA - Qeveria nuk ka mbajtur asnjë premtim qëkur ka ardhur në pushtet duke vjedhur votën, as për uljen e çmimeve dhe as për shtimin e vendeve të punës.
Kjo ka qenë akuza kryesore që ka ngritur nga sheshi kryesor i Durrësit, kryesocialisti Edi Rama, përmes fjalimit të mbajtur në protestën e organizuar prej opozitës pasdite në qytetin bregdetar.
"Nga 160 vende pune që premtoi qeveria, kanë shkurtuar rreth 70 mijë të tilla që prej vitit 2009 dhe vendet e vetme të punës që ajo ofron janë ato në administratë ku nuk paguan me paratë e saj, por me tuajat", u është drejtuar Rama protestuesve të Durrësit.
Sipas tij, populli e mban të lidhur qeverinë me votën që do të thotë se ajo është e vëmendshme në lidhje me mënyrën sesi i plotësohen kërkesat prej saj.
"Por në momentin që kjo votë vidhet, qeveria nuk është e interesuar t'i plotësojë kërkesat e tij. Duke garantuar që ajo i merr votat edhe kur nuk ia japin, qeveria punon vetëm për të nxjerrë përfitime personale", sqaroi kreu i selisë rozë lidhur me një fakt të tillë.
Në fund, ai u bëri thirrje njerëzve në sheshin e Durrësit se ky pushtet duhet rrëzuar pasi vendi rrezikon të kthehet në një republikë vetëm për ata që i shërbejnë pushtetit, ndërsa të tjerëve do t'u shkelet çdo liri dhe e drejtë.
n.e/NOA