English

Ronald Asmus: "Lufta e vogël" në Gjeorgji, ngre pyetje të mëdha

Uashington, 26 prill, NOA - A ishte lufta e gushtit të 2008-ës midis Rusisë dhe Gjeorgjisë një betejë për provincat e vogla separatiste? Ose, a paraqiste ajo diçka më të madhe? Këto janë pyetjet që shtron së fundmi Ronald Asmus.

Ai është autori i librit "Një luftë e vogël që tronditi botën: Gjeorgjia, Rusia dhe e ardhmja e Perëndimit".

Pse ky vend i vogël në Kaukaz ka implikime për Shtetet e Bashkuara të Amerikës? - Kjo luftë, e gjitha zhvillohet sipas rregullave të lojës të sigurisë evropiane. Mendoj se shumica e amerikanëve, ku ndoshta këtu përfshihem dhe unë, 5 vjet më parë mendonin që ne, në mënyrë të suksesshme, kompletuam një arkitekturë të sigurisë evropiane, pas Luftës së Ftohtë, që e bënte të pamundur luftën në Evropë dhe që lejoi SHBA-të të ndryshojnë drejtimin strategjik nga Evropa drejt një pike tjetër të nxehtë, Lindjes së Mesme dhe më gjerë. Dhe momenti kyç i kësaj ishte Samiti i NATO-s, i mbajtur në Pragë, në vitin 2002, ku ne përfunduam zgjerimin e madh të NATO-s nga Evropa qendrore dhe lindore, nga Baltiku drejt Detit të Zi. Unë mendoj se ajo çfarë kjo luftë tregoi, ishte se Rusia nuk beson më në këto rregulla loje, sepse këto rregulla loje u bazuan, ndër të tjera, mbi të drejtat e vendeve për të zgjedhur rrugën e tyre dhe aleancat e tyre. Dhe, siç e kam argumentuar në libër, shkaku themelor që shkaktoi luftën, nuk ishte përkatësia etnike, nuk ishte Abkazia ose Osetia e Jugut. Kjo ishte një luftë nisur nga dëshira e Gjeorgjisë për të shkuar drejt Perëndimit dhe vendosmërisë së Rusisë, për ta ndaluar atë që të shkojë drejt Perëndimit. Nëse Gjeorgjia në atë kohë do të kishte një udhëheqës ndryshe, dikë jo të orientuar drejt Perëndimit, por më pak gjaknxehtë, a do të kishte ndikuar ndryshe? Unë mendoj se njerëzit janë tepër të përqendruar në personalitetin dhe figurën e Mikeil Sakashvilit. Rusët e urrenin ish-presidentin e Gjeorgjisë, Eduard Shevardnaze, po aq shumë, mos më shumë sa ata urrenin Sakashvilin. Shevardnaze është ende i dashur për shumë njerëz në Perëndim, për rolin e tij në bashkimin e Gjermanisë. Pesë vjet më parë, Sakashvilli ose Misha u nominua për Çmimin Nobel për Paqe dhe ishte hero. Tani, shumë njerëz e konsiderojnë atë si të pazotin. Ai nuk ishte problemi. Nëse ai nuk do të ishte aty, por të ishte një tjetër udhëheqës i Gjeorgjisë, i përcaktuar për të shkuar drejt Perëndimit, ne do ta kishim të njëjtin konflikt. Ky nuk ishte konflikt i personalitetit. Ky ishte konflikt i aspirimeve, i interesave gjeopolitike dhe atëherë ndoshta personaliteti i kryeministrit rus, Putin, dhe Sakashvilit shtoi në të 10, 15 ose 20 përqind të dramës. Por, nuk është ajo që ka të bëjë me këtë. Edhe nëse Sakashvili nuk do të ishte atje, 80 për qind e gjeorgjianëve ende duan të shkojnë drejt Perëndimit dhe konflikti themelor mbetet i pazgjidhur. Çfarë do të thoshit rreth kritikave që pretendojnë se Gjeorgjia do të tërheqë NATO-n dhe SHBA-në në luftën me Rusinë dhe se rreziqet e sjelljes së Gjeorgjisë në NATO thjesht peshojnë më shumë se të mirat? Është i njëjti argument që ata përdorën për shtetet baltike, për Berlinin lindor, Gjermaninë Perëndimore. Është një argument i përdorur për 40-50 vjet rresht. Debati i madh dhe diferencat që ne kemi pasur me disa aleatë evropianë në këtë periudhë, janë mbi çështjen në vijim: Ju duhet t'i përkrahni gjeorgjianët për t'u dhënë besim dhe siguri që të jenë më të qetë, të sigurt dhe aktorë të parashikueshëm ose, duke i përkrahur ata, ne i inkurajomë të bëjnë gjëra që ne nuk duam t'i bëjnë. Unë jam për të parën dhe nuk mendoj se i kemi përkrahur mjaftueshëm. Por, shumë të tjerë përfshirë disa udhëheqës dhe ministra të jashtëm evropianë, janë për të dytën. Dhe, kjo është një nga arsyet, se përse ne kurrë nuk kemi pasur një qasje perëndimore të Gjeorgjisë dhe Rusisë. Le të kujtojmë. Gjeorgjianët filluan goditjen e parë në përgjigje të asaj që ata mendonin se ajo që po vinte ishte një pushtim rus. Por, ky konflikt u luftua në tokën gjeorgjiane. A mendoni se interesi i evropianëve ishte më i pakët në Kaukaz sesa në Ballkan? Mes evropianëve kishte më pak interes Kaukazi sesa Ballkani. Çfarë mendoni rreth kësaj përgjegjësie? Në fillim të viteve ‘90, SHBA-të dhe Suedia bënë ç'është e mundur që t'i tërheqin trupat ruse nga shtetet baltike. Sikur ne të mos e bënim këtë, shtetet baltike kurrë nuk do t'i ishin bashkuar NATO-s, 10 vjet më vonë. Por, ne nuk bëmë presion të fortë për t'i tërhequr trupat ruse nga Gjeorgjia. Për të qenë i sinqertë, ne nuk u kujdesëm sa duhet. Kur erdhi koha për të zgjidhur konfliktet e ngrira, ne kishim misione të dobëta, të pafuqishme të OSBE-së dhe të OKB-së në Kaukaz. Në Ballkan, ne ndërtuam misione më të forta, u kujdesëm më shumë, patëm diplomatët dhe negociatorët tanë më të mirë, sepse Ballkani ishte një përparësi strategjike në Perëndim, për të parandaluar ndodhjen e luftërave dhe në përpjekje për të ndërtuar paqen. Është e qartë se ka një mospërputhje midis fuqive të caktuara evropiane dhe SHBA-ve, në angazhimet e tyre për ta pasur Gjeorgjinë pjesë të NATO-s, pra një pjesë të komunitetit evropian. Sa është i madh ky hendek? Sot nuk kemi pse të shkojmë shumë larg për të gjetur njerëz, të cilët janë të gatshëm të jetojnë me disa versione, versionin e sferës moderne të ditës, të influencuar nga Rusia në Kaukazin e Jugut. E pra, ne tani jemi në bazat e asaj që janë themelet e një rendi të ri të sigurisë evropiane, që bëri ato parime të mrekullueshme të paktit, që zbatohen për Evropën qendrore dhe lindore, të zbatuara në Ballkan, por jo në Kaukazin e Jugut.

Në cilin rast, ne duhet të mbetemi të vërtetë në këto principe, që do të thotë në aspektin e politikave tona për atë rajon sot? Për shkak se ata nuk kanë të drejtë t'i bashkohen NATO-s, ne besojmë se ata kanë të drejtë të jenë të lirë, të pavarur dhe sovran dhe të mos jenë në sferën e influencës. Dhe, gjithmonë, u kujtoj njerëzve se arsyeja që ne shkruam Kartën e Parisit (një nga dokumentet kyçe, që përcakton kushtet e sigurisë evropiane pas Luftës së Ftohtë), ishte për shkak se ne i dhamë fund Luftës së Ftohtë, me Rusinë atë ditë, që sfera e influencës nuk prodhon stabilitet, por destabilitet. Në përpjekje për ta lidhur këtë me Kirgistanin, ku, pesë vjet më parë, ka pasur një revolucion shumëngjyrësh dhe ballafaqim me rusët në kërkimin e një të ardhmeje më të mirë në atë vend, si mendoni, cilat janë pasojat për këtë ngjarje në drejtim të Rusisë dhe a po ndryshon imazhi i Rusisë në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik? Unë mendoj se Rusia ka një ide të qartë të vizionit të saj, një ide të qartë të strategjisë së saj dhe ajo po luan sulmuesin dhe ne po luajmë mbrojtësin. Unë mendoj se kjo shihet në Ukrainë, në Gjeorgji dhe në Kirgistan. Unë mendoj se ne duhet ta rigrupojmë debatin që ne duam, për atë se çfarë mendojmë rreth principeve, të cilat jemi përpjekur për 20 vjet rresht t'i artikulojmë. Lini mënjanë zgjerimin e BE-së dhe të NATO-s si një grup tjetër çështjesh. Tashmë pavarësia dhe sovraniteti është çështja për këto vende dhe nëse kanë ndonjë të drejtë me të vërtetë që të mund ta lidhin veten me Perëndimin. Dhe, ka një debat rreth asaj nëse ata janë gati dhe nëse ne duam t'i përkrahim ata. U jemi kthyer disa çështjeve bazë. Sa më afër kufijve të Rusisë jeni, aq më e ndjeshme bëhet kjo gjë për Rusinë. Por, ajo teston angazhimin tonë në universalitetin e këtyre vlerave dhe parimeve.

Radio "Evropa e Lirë"

KOMENTE