Tiranë, 27 prill, NOA - Shqipëria ka ulur ndjeshëm vitet e fundit numrin e lindjeve duke regjistruar çdo vit rreth 35 mijë fëmijë. Të dhënat i referohen studimit të fundit demografik që u krye në mbarë vendin.
Specialistët e ministrisë së Shëndetësisë thonë se ulja e lindjeve lidhet jo vetëm me përdorimin e metodave kontraceptive, por një arsye është dhe kryerja e aborteve sidomos në klinikat private, të cilat nuk raportojnë për numrin e tyre.
Për këtë shkak u mblodh sot Komiteti Kombëtar për Shëndetin Riprodhues, i cili vendosi që të nisë një kontroll i rreptë mbi abortet në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili deklaroi se do të ndiqen penalisht të gjitha klinikat që do të rezultojnë të palicencuara dhe që marrin përsipër të kryejnë abortet.
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka kërkuar nga bluzat e bardha të përçojnë informacionin deri në zonat e thella, për të ulur rrezikun që u shkakton femrave vendimi për të kryer abortin.
"Jemi në momentin e duhur dhe në rrugën e duhur për t'i ofruar grave metodat më të mira bashkëkohore. Kjo gjë do të rrisë cilësinë e shëndetit të tyre dhe do t'i shmangë ato nga evenimente stresuese siç është barra e padëshiruar e cila i detyron gratë të kryejnë abort", tha Vasili.
Specialistët e shëndetësisë theksojnë se aborti vazhdon të mbetet alternativa kryesore për gratë në rastet kur u ndodh një shtatëzani e paplanifikuar.
USAID dhe ministria e Shëndetësisë do të nisin një fushatë informimi mediatike për përdorimin e metodave kontraceptive.
Fushata do të jetë njëmujore dhe do të shfaqet në televizione, radio e reklama në mjetet e shtypit në të gjithë vendin.
Mesazhi kryesor i fushatës është se kontraceptivë bashkohorë janë të sigurt për shëndetin, ato gjenden lehtë dhe janë të thjeshtë në përdorim. Çmimi i tyre është i përballueshëm.
Nga të dhënat e deritanishme rezulton se gratë preferojnë më shumë metodat tradicionale, rreth 59 për qind e tyre, në raport me 11 për qind që zgjedhin metodat bashkëkohore.
b.a/NOA