I vetmi vend ku qeveria ofron punë është shteti, shteti i të gjithëve i kthyer në fole për të shpërblyer shërbëtorët duke i paguar me rroga të cilat në fakt nuk i paguan Sali Berisha, po i paguajnë qytetarët përmes taksave të tyre
Nga Edi Rama*
Më shumë Opinione
Në Elbasan takova një tregtar i cili më tha që unë nuk kam votuar për ju në 28 qershor, kam votuar për PD. Por në 30 prill unë do të vi bashkë me të tjerët, se mirë juve jua vodhi votat, po me ne çka që na rrënoi të gjithëve ekonomikisht, pa përjashtim.
Kjo sintezë e përmbledhur në fjalët e atij tregtari të thjeshtë nga Elbasani është thelbi i të gjithçkaje asaj që ndodhi në 28 qershor e më pas. Në 28 qershor Sali Berisha i vodhi votat e pas 28 qershorit po rrënon ekonominë e vendit, duke rrënuar pa dallim që të gjithë.
Dhe pyetja e thjeshtë e atij tregtari është e gjithë arsyeja pse në 30 prill të gjithë duhet të protestojmë, se nga një anë u grabitën në të drejtën e tyre për të vendosur me votë qeverinë, e nga ana tjetër po goditen dita ditës në të drejtën e tyre për të jetuar normalisht me punën e tyre të ndershme.
Sali Berisha premtoi 160 mijë vende pune, vetëm në tre muajt e fundit 71 mijë shqiptarë kanë humbur vendet e tyre të punës, e qysh nga 28 qershori e këtej janë mbi 100 mijë ata që kanë dalë të papunë, ndërkohë që nuk bëhet fjalë që ata që ishin të papunë më parë të gjejnë një vend pune.
I vetmi vend ku qeveria ofron punë është shteti, shteti i të gjithëve i kthyer në fole për të shpërblyer shërbëtorët duke i paguar me rroga të cilat në fakt nuk i paguan Sali Berisha, po i paguajnë qytetarët përmes taksave të tyre.
I kemi parë faturat e energjisë e të ujit, me siguri ju kujtohet Sali Berisha përpara 28 qershorit kur thoshte sesa të më keni mua kryeministër nuk do të rritet kurrë çmimi i dritave. Ndërkohë që çmimi i dritave jo vetëm që u rrit, por edhe më keq akoma. Faturat vijnë edhe më të larta se ç'është rritja e çmimit me ligj.
Dhe kur shqiptarët e pamundur për ti përballuar ato fatura, ngrejnë zërin, qeveria ju thotë shkoni ankohuni në gjykatë. E vetëm përpara pak ditësh e ka bërë 120 mijë lekë tarifën për të hapur një gjyq.
Merreni me mend se si mund të ankohet në gjykatë një pensionist i cili e ka pensionin 120 mijë lekë, për faturën e pa përballueshme të energjisë, kur i duhet të paguaj 120 mijë lekë, pra pensionin e tij vetëm për të hapur gjyqin. Pra të rrij një muaj pa ngrënë, pa drita, pa ujë, pa ilaçe vetëm që të paguajë gjyqin.
Dhe kështu me radhë shtrihen të gjitha të këqijat, që një pas një, po hyjnë në derën e familjeve shqiptareve pas 28 qershorit.
Shumë kush pyet se pse opozita vazhdon të këmbëngul për hapjen e atyre kutive. Dikush më thoshte para pak ditësh se tani më të gjithë e kemi marrë vesh se Sali Berisha i ka vjedhur votat, tani më i gjithë populli e di që zgjedhjet nuk ishin të lira e as të ndershme. Por tanimë mbase ka ardhur koha që ti lini pas kutitë.
Problemi është që duke lënë pas kutitë ne në fakt do të linim pas një krim i cili duhet zbardhur. Sepse në qoftë se ai krim nuk zbardhet e në qoftë se ne i lëmë kutitë pas, si një çështje e mbyllur, atëherë përsëri në zgjedhjet e ardhshme do të gjenim para të njëjtin mekanizëm korrupsioni, që siç tjetërsoi votën në 28 qershor, do ta tjetërsoj përsëri votën.
E më keq akoma do të gjejmë pas tjetërsimit të votës, degradimin e mëtejshëm të të gjitha punëve të vendit, sepse në demokraci ajo çka e mban qeverinë të vëmendshme ndaj popullit të vetë, është fakti i thjeshtë se populli e mban qeverinë lidhur pas vetes me votën.
Duke e ditur qeveria se çdo gjë që bën do ti duhet të ballafaqohet me gjykimin e popullit ditën e votimit, ajo është e vëmendshme për gjithçka që populli kërkon prej saj. Por duke e ditur që mund t'ja marri popullit votën edhe sikur populli mos t'ja japë, atëherë ajo s'do tija dijë farë për popullin, e vjen dita siç ka ardhur sot në Shqipëri, që nuk varet qeveria nga populli, por populli varet nga qeveria.
Ju e shikoni përditë çfarë ndodh me pasuritë e këtij vendi. Çfarë ndodh me pronat e përbashkëta. Vetë qyteti i Durrësit përballet me dy kërcënime të mëdha, me një TEC i cili është jashtë çdo ardhmërie e jashtë çdo standardi për cilësinë e jetës që ka nevojë ky qytet.
E megjithatë arbitrarisht Sali Berisha kërkon ta ndërtoj ato TEC. Ashtu siç arbitrarisht kërkon të ndërtoj edhe një port, jashtë dëshirës, e jashtë nevojës së qytetit.
Si ndodh kështu? Si ndodh kështu që këto gjëra dhe shumë të tjera të ndodhin jashtë dëshirës dhe jashtë vullnetit të popullit? Ndodh pikërisht sepse duke garantuar që votat i merr edhe kur nuk ja japin, qeveria nuk është më një trup shërbëtorësh të atyre që votojnë, por është një grusht njerëzish të interesuar vetëm për të nxjerrë përfitime nga pushteti që ka në dorë.
Në qoftë se ne nuk i themi ndal uzurpimit të mëtejshëm të pushtetit, e degradimit të mëtejshëm të ekonomisë tonë të përbashkët, atëherë Shqipëria do të kthehet në një mbretëri të pashpallur.
Në një mbretëri e cila do të quhet republikë, e cila do ta ketë dhe kushtetutën, do të ketë dhe ligjet. Por fatkeqësisht edhe kushtetuta dhe ligjet do të vlejnë vetëm për ata që janë jashtë oborrit të pushtetit. Ndërsa kush është brenda oborrit të pushtetit do të jetë tamam i mbrojtur si në një mbretëri, e do të ketë të drejtën të shkeli çdo ligj e çdo të drejtë.
Kjo nuk është Shqipëria që ne duam! Ky nuk është atdheu që ne duam! Ne duam një Shqipëri ku secili të jetë i barabartë para ligjit, e secili të ketë mundësi të barabarta. Në të kundërt kjo nuk është më shoqëria ku ne duam të jetojmë.
Për këtë arsye ne do të jemi në 30 prill të gjithë bashkë, për këtë arsye ne do të jemi më të shumtë se kurrë e më të bashkuar se kurrë për ti dhënë fund një histori degradimi. Hija e së cilës po prek gjithmonë e më shumë familjet shqiptare.
Për t'i dhënë fund një keqqeverisjeje, e cila po rëndon përditë e më shumë në xhepin e çdo familjeje. Sali Berisha del në televizor dhe lajmëron borxhe të reja. Janë borxhe që qeveria i merr, por që i paguajnë qytetarët. Janë borxhe që e kanë katandisur këtë vend në një gjendje ekonomike, sot të pa përballueshme, dhe nesër pa dyshim shumë të rrezikshme.
Ne duhet ta ndalim përpara se ekonomia jonë të përfundojë në humnerë. Siç përfundoj vite më parë për shkak të piramidave të Sudes e të tjerëve, mund të përfundojë nesër për shkak të kësaj piramide qeveritare të Sali Berishës.
Miqtë e mi kjo nuk është një betejë e lehtë, por është një betejë e vështirë. Sepse ne duam ti japim fund një epoke ku pushteti është i qytetarëve, ku të gjitha vuajtjet dhe hallet e problemet janë të qytetarëve. Le të hapim një epokë të re ku qeveria të jetë e njerëzve, të jetë për njerëzit, e të jetë me njerëzit. Dhe këtë mund ta realizojmë vetëm duke garantuar lirinë e votës për secilin, dhe të drejtën që çdo votë të numërohet ndershmërisht. Vetëm atëherë qeveria do të varet vetëm nga votat e njerëzve, e vetëm atëherë njerëzit do të mund ti japin qeverisë gjykimin me votë, e vetëm atëherë qeveria do të duhet t'ja shpjegojë njerëzve të gjitha ato që bën. Dhe që të mos bëjë asgjë që njerëzit nuk e dëshirojnë dhe që njerëzve ju pret rrugën e mirëqenies dhe çdo perspektivë për fëmijët e tyre.
Unë dua ta mbyll duke ju siguruar se jam i vendosur që ta çojmë përpara këtë betejë. Është beteja që ka filluar 20 vjet më parë, dhe u bënë 20 vjet që Shqipëria është në tranzicion.
Ndërkohë që të gjitha vendet rreth nesh kanë vrapuar me shpejtësi drejt Evropës, ne vazhdojmë ende sot e gjithë ditën, në pritje të liberalizimit të vizave, në pritje të rënies së kufijve për të gjithë, në pritje të lëvizjes së lirë për në Evropë, e në pritje për të gjitha ato të drejta e liri që ne duhet ti kemi këtu si në Evropë.
E pra ne duam që Shqipëria e shqiptarët të jenë pjesë e familjes evropiane, të mund të lëvizin lirshëm në Evropë. Por të kenë këtu shërbimet si në europë, të kenë këtu qeverisjen si në Evropë, të kenë këtu gjykatat si në Evropë, policinë si në Evropë, shkollat e spitalet si në Evropë.
E pra kjo është beteja për të cilën ne 20 vjet më parë u ngritëm kundër regjimit të dikurshëm, dhe kjo është një betejë që vazhdon sepse liria jonë sot është e kërcënuar nga të gjitha ato mekanizma që po nuk i çmontuam sot nuk do të bëjmë të mundur lirinë nesër.
Në 30 prill ditën e premte, në orën 18.00 në sheshin Skëndërbej në Tiranë. Merrni me vete fqinjët, miqtë, familjarët, që të gjithë.
Merrini me vete për një protestë të madhe, për një protestë e cila t'i tregojë të gjithëve, botës mbarë, se ne nuk e shesim dhe nuk e falim lirinë tonë për të votuar e as heqim dorë nga e drejta jonë për të jetuar këtu si të barabartë përpara ligjit dhe mundësive që demokracia i jep çdo qytetari pa dallim.
(*) Fjala e plotë e kryetarit të PS, mbajtur mbrëmjen e së hënës, 26 Prill 2010 në protestë në Durrës
Më shumë Opinione